Papa Leo kritikoi paketat e pagave të drejtuesve të kompanive dhe foli për hendekun mes të pasurve dhe të varfërve, gjatë intervistës së tij të parë me median.
Papa Leo tha se “jemi në telashe të mëdha” kur bëhet fjalë për hendekun gjithnjë e më të madh të pagave mes të pasurve dhe të varfërve, duke përmendur Elon Musk, i cili mund të jetë në rrugën për t’u bërë trilioneri i parë në botë.
Ai i bëri këto komente teksa kritikoi pagat e shefave ekzekutivë gjatë intervistës së parë për media. Duke reflektuar mbi arsyet e polarizimit në botë, ai tha se një faktor i rëndësishëm ishte “hendeku gjithmonë më i gjerë mes të ardhurave të klasës punëtore dhe parave që marrin më të pasurit”.
“CEO-të që 60 vite më parë fitonin katër deri në gjashtë herë më shumë se punëtorët … tani fitojnë 600 herë më shumë,” tha Ati i Shenjtë në pjesë nga intervista e realizuar nga Elise Ann Allen, korrespondente e lartë e gazetës katolike Crux, si pjesë e një biografie që pritet të botohet.
“A dje doli lajmi se Elon Musk do të bëhet trilioneri i parë në botë. Çfarë do të thotë kjo dhe për çfarë bëhet fjalë? Nëse kjo është e vetmja gjë që ka vlerë sot, atëherë jemi në telashe të mëdha.”
Më herët këtë muaj, bordi i prodhuesit të makinave elektrike Tesla tha se kishte propozuar një paketë të re pagesash prej një trilion dollarësh për Musk, si CEO dhe aksioner më i madh i kompanisë, nëse ai arrin objektivat e përcaktuara.
Duke përshkruar paketën stimuluese, që është e paprecedentë në historinë korporative, kompania tha në një njoftim për bursën: “Po, e lexuat drejt.”
Musk, i cili zotëron gjithashtu X.com dhe SpaceX, duhet të rrisë vlerën e Teslës nga pak mbi 1 trilion dollarë aktualisht në 8.5 trilion dollarë brenda dhjetë viteve.
Leo, i zgjedhur në maj si papa i parë amerikan pas vdekjes së Papa Françeskut, foli gjithashtu për muajt e tij të parë si Papë, duke thënë: “Kam ende një rrugë të gjatë për të mësuar.”
Papa, i cili mbushi 70 vjeç të dielën, deri tani është treguar më i përmbajtur se paraardhësi i tij, edhe pse ndajnë pikëpamje të ngjashme progresiste politike.
Françesku shpesh u përplas me presidentin amerikan Donald Trump për politikat e tij të ashpra mbi emigracionin, ndërsa Leo, më parë Kardinali Robert Prevost, gjithashtu kishte kritikuar politikat e Trump-it në rrjetin X para se të bëhej Papë.
Ambasadori i ri i Trump-it në Vatikan, Brian Burch, i cili ishte kritik i ashpër i Françeskut, i dhuroi Leo-s një tortë çokollate për ditëlindjen gjatë një takimi të shtunën, në përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie më miqësore./Përshtati nga The Guardian, ekofin.al
