Qeveria ka përgatitur një paketë të re ligjore me gjashtë instrumente për të adresuar dhunën gjatë protestave dhe dëmet e shkaktuara ndaj pronës publike dhe private. Ndër masat kryesore të prezantuara nga kryeministri Edi Rama janë dëmshpërblimi i bizneseve të dëmtuara, vendosja e gjobave deri në 500 mijë lekë dhe detyrimi i autorëve të dhunës për të paguar dëmet e shkaktuara.
Në një deklaratë për mediat, Rama bëri të ditur se paketa, të cilën e cilësoi si një ndërhyrje kundër dhunës dhe anarkisë urbane, synon të vendosë përgjegjësi individuale për dëmet materiale, duke përfshirë edhe rastet kur ato shkaktohen gjatë grumbullimeve sportive.
Bizneset e vogla do të dëmshpërblehen 100%, të mëdhatë 70%
Një nga masat me ndikimin më të drejtpërdrejtë ekonomik është dëmshpërblimi i bizneseve të prekura nga protestat e dhunshme.
Sipas kryeministrit, përmes një akti normativ, bizneset e vogla do të përfitojnë kompensim në masën 100% të dëmit të shkaktuar, ndërsa për bizneset e mëdha masa e dëmshpërblimit do të jetë 70%.
Kjo ndërhyrje synon të mbështesë rikuperimin ekonomik të subjekteve që kanë pësuar dëmtime në ambientet tregtare, pajisje apo pasuri të tjera gjatë protestave.
Megjithatë, mbetet për t’u përcaktuar në aktet përkatëse mënyra e vlerësimit të dëmeve, dokumentacioni që duhet të paraqesin bizneset dhe afatet për përfitimin e kompensimit.
Parimi “Kush thyen, paguan”, dëmet do t’u ngarkohen autorëve
Një tjetër instrument i paketës është ligji i posaçëm për riparimin e dëmeve, i mbështetur në parimin “Kush thyen, paguan”.
Sipas Ramës, përgjegjësia përfundimtare financiare për shkatërrimin e pronës publike dhe private duhet të bjerë mbi personat që kanë shkaktuar dëmet dhe jo mbi taksapaguesit.
Kjo nënkupton krijimin e mekanizmave ligjorë për të kërkuar rikuperimin e vlerës së dëmit nga autorët përgjegjës.
Gjoba deri në 500 mijë lekë edhe për qëndrimin në turma të dhunshme
Paketa parashikon gjithashtu ndryshime në ligjin për tubimet, duke vendosur masa administrative ndaj personave që qëndrojnë në një turmë, megjithëse janë në dijeni se përreth tyre po ushtrohet dhunë apo po shkatërrohet prona.
Sipas propozimit të prezantuar, gjoba mund të arrijë deri në 500 mijë lekë.
Nga kjo masë parashikohet të përjashtohen gazetarët, personeli mjekësor, vëzhguesit, nëpunësit në kryerje të detyrës dhe kalimtarët.
Për rastet kur dëmet shkaktohen nga të mitur, përgjegjësia financiare për gjobat dhe riparimin e dëmeve do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve ligjorë.
Regjistër elektronik për dhunuesit dhe ndryshime në Kodin Penal
Paketa përfshin edhe krijimin e një regjistri elektronik të posaçëm për personat e përfshirë në dhunën urbane, si dhe propozime për ndryshime në Kodin Penal.
Gjithashtu, është paralajmëruar një ndryshim në Kodin e Etikës së Mësuesve dhe vendosja e kufizimeve të përkohshme, detajet e të cilave pritet të qartësohen në tekstet ligjore.
Kryeministri theksoi se masat nuk do të kufizohen vetëm te protestat politike apo qytetare, por do të zbatohen edhe në tubime dhe grumbullime sportive, në rastet kur shkaktohen dëme materiale.
Sipas tij, pjesëmarrja në një protestë nuk do të përbëjë në vetvete shkak për ndëshkim, ndërsa përgjegjësia do të përcaktohet në bazë të sjelljes individuale.
Rama deklaroi se paketa nuk synon të kufizojë lirinë e tubimit dhe të shprehjes, por të ndajë protestën paqësore nga veprimet e dhunshme.
Përtej masave të dëmshpërblimit, zbatimi i paketës do të varet nga përmbajtja përfundimtare e akteve ligjore, procedurat për identifikimin e personave përgjegjës dhe garancitë për respektimin e të drejtave të qytetarëve./ekofin.al
Në përditësim…
