Paketa Fiskale 2027 sjell ndryshime në katër ligje të rëndësishme të sistemit tatimor, duke kombinuar masa për forcimin e disiplinës fiskale me lehtësimin e procedurave administrative, trajtimin favorizues të disa kategorive të individëve dhe ndryshime në taksimin e produkteve të duhanit.
Projektligjet e përgatitura nga Ministria e Financave parashikojnë ashpërsimin e mekanizmave për mbledhjen e detyrimeve tatimore, zgjerimin e zbatimit të gjobave për transaksionet me para në dorë, rritjen graduale të akcizës së duhanit deri në vitin 2033, si dhe heqjen e detyrimit për dorëzimin e dyfishtë të pasqyrave financiare nga bizneset.
Drafti parashikon zgjatjen e regjimit të veçantë të TVSH-së për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX), deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Bizneset nuk do të dorëzojnë më dy herë pasqyrat financiare
Një nga lehtësimet kryesore të propozuara në ligjin për tatimin mbi të ardhurat lidhet me eliminimin e detyrimit për dorëzimin e të njëjtave pasqyra financiare pranë dy institucioneve.
Aktualisht, bizneset që kanë detyrimin të depozitojnë pasqyrat financiare në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) duhet t’i paraqesin ato edhe pranë administratës tatimore.
Me ndryshimet e propozuara, bizneset do t’i depozitojnë pasqyrat vetëm në QKB, ndërsa administrata tatimore do t’i marrë nëpërmjet shkëmbimit elektronik të informacionit ndërmjet institucioneve.
Megjithatë, lehtësimi nuk do të zbatohet menjëherë. Deri në funksionalizimin e shkëmbimit elektronik, bizneset do të vijojnë t’i dorëzojnë dokumentet në të dy institucionet.
Ndryshimi synon të reduktojë kohën dhe kostot administrative për bizneset dhe ekonomistët, veçanërisht gjatë periudhave të raportimit financiar.
Në të njëjtin projektligj parashikohet edhe trajtim tatimor favorizues për të ardhurat personale të individëve dhe të vetëpunësuarve të vetëm që kanë statusin e personit të verbër, invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, personit surdomut dhe invalidit të punës.
Masa synon zgjerimin dhe unifikimin e lehtësive tatimore për këto kategori, duke mbështetur punësimin, vetëpunësimin dhe pavarësinë e tyre ekonomike.
Tatimet forcojnë masat për mbledhjen e detyrimeve, gjoba edhe për pagesat cash me konsumatorët
Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore synojnë forcimin e disiplinës së pagesave dhe zgjerimin e instrumenteve që administrata tatimore mund të përdorë për mbledhjen e detyrimeve.
Kështu, një ndër ndërhyrjet më thelbësore lidhet me parapagimet e tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi.
Sipas propozimit, këstet paraprake të papaguara brenda afateve ligjore do të trajtohen si detyrime tatimore të papaguara, duke i mundësuar administratës tatimore zbatimin e procedurave të mbledhjes me forcë.
Ndryshimet nuk parashikojnë rritjen e gjobës ekzistuese prej 0.06% në ditë për këstet e papaguara, por forcojnë mundësitë e administratës tatimore për mbledhjen e tyre.
Projektligji parashikon një ndryshim lidhur me transaksionet me para në dorë. Gjoba prej 10% të vlerës së transaksionit, që aktualisht zbatohet për shkeljet e kufizimeve në pagesat cash ndërmjet tatimpaguesve, propozohet të shtrihet edhe për transaksionet ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve, kur tejkalohen kufijtë ligjorë.
Paketa parashikon gjithashtu që, gjatë procedurës së çregjistrimit të një biznesi, administrata tatimore të mund të kryejë kontrolle të bazuara në analizën e riskut pa respektuar afatin e zakonshëm të njoftimit paraprak. Kontrolli duhet të përfundojë brenda kufirit maksimal prej 30 ditësh pune.
Ndërkohë, për mosdorëzimin brenda afatit të dokumentacionit të transferimit të çmimit, kur ai kërkohet nga administrata tatimore, propozohet një gjobë nga 100 mijë deri në 150 mijë lekë.
Akciza e duhanit rritet nga viti 2027, skemë e re deri në vitin 2033
Paketa Fiskale 2027 parashikon një kalendar të ri shtatëvjeçar për rritjen graduale të akcizës së produkteve të duhanit dhe nikotinës.
Për cigaret, akciza specifike propozohet të rritet nga 7,750 lekë për 1,000 fije në vitin 2026, në 8,100 lekë nga 1 janari 2027, ose 4.5% më shumë.
Rritja do të vijojë në vitet pasardhëse, duke arritur në 8,800 lekë për 1,000 fije në vitin 2029.
Nga viti 2030 propozohet një ndryshim në mënyrën e llogaritjes së akcizës për cigaret. Përveç komponentit specifik prej 9,150 lekësh për 1,000 fije, do të aplikohet edhe një komponent proporcional me çmimin e shitjes me pakicë, që nis nga 2% në vitin 2030 dhe arrin në 5% në vitin 2033.
Kjo do të thotë se barra e akcizës do të ndikohet edhe nga çmimi i shitjes së cigareve, ndërsa efekti për konsumatorët do të varet nga mënyra se si prodhuesit dhe importuesit do ta reflektojnë rritjen e kostos në çmimet përfundimtare.
Rritje të akcizës parashikohen edhe për duhanin me ngrohje, produktet me nikotinë të lëngshme, produktet për përdorim oral dhe përzierjet për shisha apo nargjile.
Për produktet me nikotinë të lëngshme, akciza propozohet të rritet nga 24 lekë/ml në vitin 2027 në 48 lekë/ml në vitin 2033.
Ndërsa për duhanin me ngrohje, pa djegie, akciza do të rritet gradualisht nga 9,450 lekë/kg në vitin 2027 në 13,650 lekë/kg në vitin 2033.
Skema e re përfshin edhe trajtim të diferencuar gjatë viteve të para për duhanin e përpunuar nga gjethe të kultivuara në Shqipëri, përpara se nivelet të barazohen me kategoritë përkatëse.
ALPEX, regjimi i veçantë i TVSH-së zgjatet deri në anëtarësimin në BE
Ndryshimi i katërt i paketës fiskale lidhet me ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe synon të garantojë vijimësinë e regjimit të veçantë tatimor për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).
Sipas legjislacionit aktual, ky regjim përfundon më 31 dhjetor 2026. Me propozimin e ri, afati do të zgjatet deri në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Regjimi i veçantë parashikon që, për transaksionet e energjisë elektrike në bursë, detyrimi për llogaritjen dhe deklarimin e TVSH-së i kalon blerësit, duke shmangur pagesën paraprake të saj nga shitësi.
Ky mekanizëm synon të lehtësojë transaksionet dhe të reduktojë nevojën për likuiditet të operatorëve që tregtojnë energji elektrike në bursë.
Projektligji parashikon që ndryshimet të kenë efekt nga 1 janari 2027 dhe, sipas Ministrisë së Financave, nuk pritet të sjellin efekte financiare në buxhetin e shtetit. /ekofin.al
