Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA) i është bashkuar shqetësimeve të organizatave të tjera të biznesit lidhur me ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se rritja e njëkohshme e disa taksave kryesore mund të ndikojë negativisht në investimet ekzistuese, të frenojë investimet e reja dhe të dobësojë konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon.
Në një deklaratë publike, Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, e cila përfaqëson një komunitet sipërmarrjesh me prani të konsoliduar dhe investime afatgjata në ekonominë shqiptare, shpreh shqetësimin se ndryshimet e propozuara mund të krijojnë një barrë të shtuar fiskale dhe të cenojnë parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit.
Në qendër të shqetësimeve janë katër ndryshime kryesore të përmendura në deklaratë:
* Rritja e propozuar e tatimit mbi fitimin e shoqërive nga 15% në 17%.
* Rritja e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15%.
* Rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%.
* Rritja e TVSH-së për aktivitete të caktuara turistike nga 6% në 10%.
Sipas HBAA-së, këto ndryshime, nëse miratohen dhe zbatohen njëkohësisht, do të përbënin një ndryshim të rëndësishëm të kuadrit fiskal mbi të cilin shumë biznese kanë hartuar planet e investimeve dhe kanë marrë vendime financiare afatgjata.
Shoqata thekson se stabiliteti dhe parashikueshmëria e sistemit tatimor janë kushte thelbësore për investitorët, veçanërisht për ata që kanë angazhime financiare shumëvjeçare në Shqipëri.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga biznesi grek lidhet me efektin e kombinuar të rritjes së tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi dividendët.
Sipas Shoqatës, rritja e këtyre dy normave mund të ndikojë drejtpërdrejt në përfitueshmërinë e bizneseve, kapacitetin e tyre për të financuar investime të reja dhe vendimet për shpërndarjen apo riinvestimin e fitimeve.
HBAA vlerëson se ndryshimet fiskale nuk duhen analizuar vetëm në aspektin e të ardhurave shtesë që mund të gjenerojnë për buxhetin e shtetit, por edhe në raport me ndikimin që mund të kenë në zgjerimin e aktiviteteve ekonomike dhe në tërheqjen e kapitalit të huaj.
Shoqata paralajmëron se një rritje e konsiderueshme dhe e njëkohshme e normave tatimore mund të dobësojë pozicionin konkurrues të Shqipërisë kundrejt vendeve të tjera që synojnë të tërheqin investime ndërkombëtare.
Kjo çështje merr rëndësi të veçantë për investitorët ekzistues, të cilët kanë ndërtuar planet e tyre financiare mbi bazën e një kuadri të caktuar fiskal.
Në deklaratën e saj, HBAA i kërkon Qeverisë që, përpara miratimit përfundimtar të Paketës Fiskale 2027, të marrë në konsideratë disa masa për të mbrojtur investimet ekzistuese dhe për të ruajtur atraktivitetin e vendit për kapitalin e huaj.
Së pari, Shoqata kërkon garantimin e një periudhe të mjaftueshme kalimtare për zbatimin e normave të reja tatimore.
Sipas saj, bizneset duhet të kenë kohën e nevojshme për të përshtatur detyrimet kontraktore, politikat e çmimeve, buxhetet, planet e investimeve dhe politikat e shpërndarjes së dividendëve.
Një ndryshim i menjëhershëm i barrës tatimore, pa një periudhë të përshtatshme tranzicioni, mund të krijojë vështirësi në planifikimin financiar dhe në përmbushjen e angazhimeve ekzistuese.
Së dyti, HBAA kërkon kryerjen e një studimi të posaçëm mbi ndikimin e Paketës Fiskale në investimet e huaja.
Ky studim, sipas Shoqatës, duhet të vlerësojë efektet e kombinuara të rritjes së tatimit mbi fitimin, dividendët dhe TVSH-së, si dhe të analizojë pozicionin konkurrues të Shqipërisë krahasuar me vendet e tjera që konkurrojnë për tërheqjen e investimeve.
Së treti, kërkohet një proces formal, i strukturuar dhe gjithëpërfshirës konsultimi me dhomat bilaterale të tregtisë dhe investitorët, përpara miratimit të ndryshimeve.
Shoqata kërkon që qëndrimet dhe propozimet e komunitetit të biznesit të shqyrtohen konkretisht, veçanërisht për masat që ndikojnë në tatimin mbi fitimin dhe shpërndarjen e dividendëve.
Një tjetër kërkesë është garantimi i një kuadri fiskal të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm pas reformës, duke shmangur ndryshimet e shpeshta dhe të papritura të taksave.
Pavarësisht rezervave ndaj rritjes së taksave, Shoqata e Biznesit Grek mirëpret masat e propozuara që synojnë lehtësimin e barrës tatimore për produktet e nevojës bazë.
Në mënyrë të veçantë, HBAA mbështet uljen e propozuar të TVSH-së në 6% për produktet ushqimore bazë.
Megjithatë, Shoqata vlerëson se përfitimet e kësaj mase duhet të analizohen në raport me ndikimin e përgjithshëm të Paketës Fiskale në investimet, konkurrueshmërinë, punësimin dhe kostot e ushtrimit të aktivitetit ekonomik.
Sipas saj, një reformë fiskale duhet të ruajë ekuilibrin ndërmjet objektivave për mbledhjen e të ardhurave publike dhe nevojës për të mbështetur zhvillimin e sektorit privat. /ekofin.al
