Rritja e çmimeve në nivel botëror ka vënë në vështirësi serioze edhe bizneset shqiptare, duke bërë që shumë prej tyre t’u drejtohen procedurave të falimentit. Për të shmangur këtë dukuri, si dhe për të përballuar problemet financiare të ndryshme, sipërmarrësit diktojnë nevojën e hartimit të një pakete të strukturuar fiskale për vitin 2025.
Përmes Dhomës së Tregtisë Tiranë, bizneset i kërkojnë qeverisë mbështetje dhe hartimin e politikave nxitëse dhe me tregues të matshëm sa i përket konkurrueshmërisë, risive dhe nxitjes së eksporteve, të cilat do të ndihmojnë në qëndrueshmërinë e sipërmarrjes.
Në qendër të kërkesave dhe propozimeve që do t’i drejtohen Këshillit Ekonomik Kombëtar janë zgjidhja e problemeve që shkaktojnë paqartësi në zbatimin e procedurat tatimore, si dhe krijimin e lehtësirave fiskale për sektorë të caktuar ekonomikë. Gjithashtu, rishikimi i procedurave dhe tarifave doganore, veçanërisht tarifat për prodhuesit vendas, të cilat krijojnë pabarazi në raport me rajonin. Kërkesa tjetër ka të bëjë me marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe taksimi i dyfishtë, duke u përqendruar te shmangia e pengesave tatimore, si dhe lufta ndaj informalitetit.
Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri ushtrojnë veprimtari ekonomike aktive 130.338 njësi ligjore. Prodhuesit e shërbimeve, tregtia me shumicë dhe pakicë janë ndër sektorët kryesorë me ndikim të madh në ekonominë e vendit.
