Ditët e para të shkollës janë plot emocion. Një çantë e re, fletore të pastra, miq që takohen sërish dhe ëndrra që marrin formë. Por jo çdo fëmijë e nis këtë rrugëtim me të njëjtat mundësi.
Për shumë familje, blerja e mjeteve shkollore mbetet ende një sfidë. Dhe kur një fëmijë nuk ka atë që i duhet për të mësuar, rruga drejt ëndrrave të tij bëhet më e vështirë.
Pikërisht këtu marrin vlerë partneritetet që ndërtohen mbi besimin dhe dëshirën për të bërë një ndryshim të prekshëm. Një histori e tillë është edhe ajo mes SOS Fshatrave Shqipëri dhe OTP Bank Albania, që bashkëpunojnë prej vitesh për të mbështetur fëmijët dhe familjet në nevojë.
Duke iu përgjigjur thirrjes së përvitshme të SOS Fshatrave Shqipëri për t’u qëndruar pranë fëmijëve të komuniteteve në nevojë, edhe këtë vit OTP Bank Albania kontribuoi me dhurimin mjeteve shkollore për të mbështetur nisjen sa më të mbarë të vitit akademik 2026-2027.

Mund të duket një gjest i thjeshtë. Por për një fëmijë, një çantë e kompletuar do të thotë të hyjë në klasë me më shumë vetëbesim, të ndihet pjesë e grupit dhe të përqendrohet tek ajo që ka më shumë rëndësi: të mësojë, të zhvillohet dhe të ndërtojë të ardhmen e tij.
Përmes këtij kontributi, OTP Bank Albania rikonfirmon angazhimin e saj ndaj përgjegjësisë sociale dhe besimin se investimi tek fëmijët, të rinjtë dhe tek arsimi është investimi më i vlefshëm për të ardhmen.
Dhe kur kjo shpresë ushqehet nga partneritete të qëndrueshme si ai mes OTP Bank Albania dhe SOS Fshatrave Shqipëri, e ardhmja bëhet më premtuese për qindra fëmijë, që kanë nevojë vetëm për një mundësi për të shkëlqyer.

