Në korrik të vitit 2018, në sistemin bankar shqiptar hyri një emër i ri, por me reputacion të konsoliduar në Europën Qendrore dhe Lindore: OTP Group. Me blerjen e Societe Generale Albania, e ndjekur më pas nga bashkimi me Alpha Bank Albania, OTP Bank Albania u kthye shumë shpejt në një nga institucionet kryesore financiare në vend. Gjashtë vite më vonë, banka jo vetëm që ka konsoliduar pozicionin e saj si një nga tre bankat më të mëdha për nga portofoli i kredive, por ka ndikuar ndjeshëm edhe në orientimin e kapitalit të huaj – në veçanti atij hungarez – drejt Shqipërisë.
Një hyrje që ndryshoi klimën e investimeve
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të konsultuara nga ekofin.al, deri në fund të vitit 2017 investimet hungareze në Shqipëri ishin minimale, në nivele më pak se 1 milionë euro. Me hyrjen e OTP Bank në treg në vitin 2018 dhe përmbylljen e transaksionit të parë në vitin 2019, panorama ndryshoi rrënjësisht. Brenda një viti, stoku i investimeve hungareze kërceu në 85 milionë euro në fund të vitit 2019 dhe kjo prirje vetëm sa u forcua në vijim, duke arritur deri në pesëfishim të këtyre investimeve.
“Hungaria hyri në Shqipëri në vitin 2018 me blerjen e Bankës, sot OTP Bank Albania. Është praktikë që në çdo vend ku OTP hyn, pasojnë edhe investitorët hungarezë.”, – shprehet për ekofin.al, z. Bledar Shella, CEO i OTP Bank Albania. “Sot, investimet hungareze në vend janë në nivelin 414 milionë euro në fund të 3-mujorit të parë 2025 dhe sektorët ku është investuar përfshijnë transportin ajror, real-estate, telekomunikacionin dhe bankën – e cila ishte dhe e para.”
Një prani që rritet në mënyrë konstante çdo vit
Kjo lidhje organike mes hyrjes së një grupi të madh bankar dhe tërheqjes së kapitalit nga i njëjti vend origjine, përbën një model zhvillimi të qëndrueshëm që Shqipëria mund të përsërisë me partnerë të tjerë strategjikë.
Sipas Drejtoreshës së AIDA-s, znj. Laura Saro, “Investimet hungareze në Shqipëri kanë shënuar një rritje të qëndrueshme gjatë viteve të fundit, duke reflektuar një prani gjithnjë e më të konsoliduar të kapitalit hungarez në vendin tonë.”
Sipas të dhënave të fundit, investimet hungareze në Shqipëri kanë arritur në 414 milionë euro në fund të 3-mujorit të parë 2025, nga 405 milionë euro që ishin në fundvitin 2024, me mbi 35 kompani të regjistruara që operojnë në sektorë kyç të ekonomisë.
“Një pjesë e madhe e kësaj rritjeje lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e OTP në vend, por edhe me ndikimin që ka pasur kjo prani në tërheqjen e investimeve të tjera, si rasti i Wizz Air në transportin ajror apo 4iG në sektorin e telekomunikacionit, përmes blerjes së One Albania,” thekson Drejtoresha e AIDA-s për ekofin.al.
Një kontribut konkret në ekonomi dhe komunitet
OTP Bank Albania nuk ka qenë vetëm një urë për kapitalin hungarez – ajo është kthyer në një partner të mirëfilltë për zhvillimin ekonomik të vendit. Në vitin 2024, banka shënoi rezultatin më të mirë financiar në historinë e saj, me 10.2 miliardë lekë të ardhura bankare neto, pothuajse 5 miliardë lekë fitim neto, kthim mbi kapitalin prej 20.36% dhe me një portofol kredie prej 118.4 miliardë lekë.
Pas këtyre shifrave fshihen histori të vërteta suksesi: afro 1,100 familje që morën kredinë e parë për një shtëpi dhe rreth 1,000 biznese që u financuan për zgjerim, pajisje të reja apo projekte në bujqësi, turizëm dhe industri të tjera.
E ardhmja, zgjerim në sektorë të rinj
“Marrëdhëniet e mira dypalëshe, ambienti gjithnjë e më konkurrues për investime dhe reformat e vazhdueshme për përmirësimin e klimës së biznesit krijojnë një bazë të fortë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve,” shprehet Drejtoresha e AIDA-s.
Ndërsa CEO i OTP Bank Albania është i mendimit se ekzistojnë hapësirat dhe mundësitë për zgjerim të kapitalit hungarez në vendin tonë. “Hapësira për më shumë është faktike dhe presim në të ardhmen interes konkret për sektorë të tjerë – pse jo në agro-ushqimore, energji etj.”, – thekson Bledar Shella.
OTP Bank është sot një histori e konsoliduar suksesi – jo vetëm në kuptimin financiar, por si një mbështetës për zhvillimin ekonomik, besim tek sistemi financiar dhe rritje të kapitalit të huaj në Shqipëri.
Në përvjetorin e gjashtë të pranisë së saj në vend, OTP Bank Albania mbetet një shembull se si një investim strategjik mund të shërbejë si urë bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, duke krijuar ndikim afatgjatë dhe të qëndrueshëm. /ekofin.al

