Nga Mirilda Tili
Detyrimi për përdorimin e pajisjeve POS/POI për pagesat elektronike po has vështirësi në sektorin e transportit publik, ku operatorët shprehen se ende mungojnë informacionet teknike, qartësia mbi kostot dhe infrastruktura e nevojshme për ta bërë sistemin funksional.
Përfaqësuesit e shoqatave të transportit publik argumentojnë për ekofin.al se, ndonëse mbështesin modernizimin e shërbimeve dhe zgjerimin e mundësive të pagesës për qytetarët, aktualisht kushtet teknike dhe financiare nuk e lejojnë zbatimin e menjëhershëm të këtij detyrimi.
Mungesë informacioni dhe paqartësi për operatorët
Kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas, Kostandin Foni, shprehet se operatorët ende nuk janë pajisur me sistemin dhe nuk kanë marrë informacion të plotë mbi mënyrën e funksionimit të tij.
Sipas tij, transporti urban funksionon aktualisht pothuajse tërësisht me pagesa cash, të cilat arkëtohen nga fatorinot që ndodhen në çdo autobus.
“Jemi të paqartë jo vetëm ne si operatorë, por edhe qytetarët që do të duhet të përdorin kartat bankare për të paguar biletën. Ende nuk kemi marrë informacion të plotë për mënyrën sesi do të funksionojë sistemi në praktikë”, shprehet Foni.
Ai bën me dije se operatorët kanë dërguar kërkesa pranë bankave të nivelit të dytë për të marrë oferta konkrete lidhur me pajisjet, mirëmbajtjen dhe tarifat që do të shoqërojnë çdo transaksion.
Kostot që rëndojnë mbi operatorët
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me barrën financiare që mund të krijojë përdorimi i POS-eve në një sektor ku marzhet e fitimit janë të kufizuara.
Sipas Fonit, nga përllogaritjet paraprake rezulton se: dëmtimi i pajisjes mund të sjellë një kosto zëvendësimi deri në 50 mijë lekë. Gjithadhtu mirëmbajtja mujore e sistemit kushton rreth 1 mijë lekë për çdo pajisje, bankat po ashtu aplikojnë tarifa fikse për çdo transaksion dhe përveç tarifës fikse, mbahet edhe një komision në përqindje mbi vlerën e pagesës.
Këto kosto, sipas operatorëve, krijojnë pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si do të përballohen financiarisht.
“Duhet të sqarohet nëse këto tarifa do t’i paguajë qytetari që kryen pagesën apo do të zbriten nga të ardhurat e operatorit. Përndryshe, në rastin e një bilete me vlerë 40 lekë, i shtohen dhe 32 lekë të tjera shtesë”, argumenton Foni.
Ai kërkon ngritjen e një tryeze të përbashkët mes institucioneve tatimore, sistemit bankar, bashkive dhe operatorëve për të përcaktuar qartë përgjegjësitë dhe kostot që sjell ky ndryshim.
Transporti urban ende pa infrastrukturën e nevojshme
Në të njëjtën linjë shprehet edhe Dashnor Mema, përfaqësues i operatorëve të transportit ndërqytetës, i cili thekson se procesi aktualisht po testohet fillimisht në sektorin e taksive.
Sipas tij, transporti urban mbetet segmenti më kompleks për shkak të mungesës së platformave teknologjike dhe sistemeve të integruara të biletimit.
“Vendosja e POS-eve ka nisur përmes procesit të taksive për të parë si funksionon sistemi. Më pas do të kalohet te transporti ndërqytetës. Për transportin urban, për momentin është e pamundur përderisa nuk ekzistojnë ende platformat dhe sistemet përkatëse”, deklaron Mema.
Ai shton se edhe niveli i komisioneve bankare mbetet ende i pasqaruar, ndërsa po zhvillohen diskutime mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe bankave të nivelit të dytë për të përcaktuar tarifat përfundimtare.
Nevojitet biletimi elektronik
Sipas operatorëve, zgjidhja nuk mund të kufizohet vetëm në vendosjen e një pajisjeje POS në autobus.
Për të funksionuar si duhet, sistemi duhet të mbështetet nga një platformë e plotë e biletimit elektronik, e cila të lejojë pagesat me kartë bankare, transfertat elektronike dhe pagesat cash në të njëjtën kohë.
Më herët, ekofin.al publikoi qëndrimet e ekspertëve të ekonomisë, të cilët shprehen se pa infrastrukturë, përdorimi i POS-eve rrezikon të mbetet një zgjidhje e pjesshme që nuk adreson sfidat reale të sektorit.
Më shumë lehtësi për turistët sesa revolucion në transport
Operatorët vlerësojnë se pagesat elektronike mund të sjellin komoditet shtesë, veçanërisht për turistët e huaj që nuk mbajnë para cash, por nuk besojnë se vetëm ky instrument do të transformojë sistemin e transportit publik.
“Është një alternativë shtesë për qytetarët dhe veçanërisht për turistët. Nuk është një masë që zgjidh problemet e transportit apo që ndryshon tërësisht infrastrukturën ekzistuese”, nënvizon Mema.
Në këto kushte, edhe pse detyrimi për përdorimin e pagesave elektronike është vendosur, operatorët argumentojnë se zbatimi i tij kërkon fillimisht zgjidhjen e çështjeve teknike, financiare dhe organizative. Deri në krijimin e një sistemi të plotë biletimi elektronik dhe qartësimin e kostove që do të mbajnë operatorët dhe qytetarët, vendosja e POS-eve në transportin publik mbetet një proces ende larg zbatimit të plotë në terren. /ekofin.al
