Ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, i miratuar në vitin 2020 dhe që hyri në fuqi në vitin 2021 ngarkoi ndër të tjera me detyrimin ligjor bankat e nivelit të dytë që të zhvillonin më tej sistemet e tyreve të pagesave, duke krijuar kushtet e nevojshme infrastrukturore dhe aspektet e sigurisë për “open banking”.
Në thelb open banking, ose bankingu i hapur, është hapja e bankare, duke i dhënë mundësi edhe institucioneve të tjera, inovatorëve të fushës së Fintech, siç janë institucionet e parasë elektronike për t’u ndërlidhur me sistemet e tyre për të realizuar pagesa të shpejta, me kosto më të ulëta dhe patjetër edhe të sigurta.
Në shkurt të këtij viti, në një takim për inovacionin financiar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u rikujtoi bankave të nivelit të dytë që deri në muajin qershor duhet të realizohet dixhitalizimi i sistemit financiar “open banking”.
Gjatë një takimi me kryeministrin Rama dhe drejtuesit e bankave, Guvernatori u shpreh se ligji është ligji dhe duhet zbatuar.
Sejko tha gjithashtu se janë hequr edhe shumë cash nga qarkullimi, ndërsa theksoi se po punohet përmes Komunitetit Kombëtar të Pagesave. Ai ftoi bankat që të bëhen pjesë e këtij procesi.
“Për të thënë konkretisht ka një ligj dhe ligji është për tu zbatuar. Në funksion të këtij ligji ne kemi ndërtuar ligjin për shërbimin e pagesave. Kemi ndërtuar kuadrin nën ligjor për shërbimet e pagesave dhe kemi licencuar ju që jeni këtu dhe disa të tjerë.
Jemi në momentin praktik, që ka të bëjë me zbatimin e kësaj gjeje dhe përkthimin në biznes konkret. Ajo që ka mbetur është pjesa e “open banking”, theksoi Guvernatori.
Por ndërkohë që po vjen muaji qershor, si afati i fundit ligjor për zbatimin e “open banking” dhe pak gjëra këta lëvizur. Shoqata Shqiptare e Bankave raporton se vetëm dy banka kanë ndërmarrë zhvillimet e nevojshme teknologjike dhe infrastrukturore për të mundësuar realizimin e bankingut të hapur, ndërsa një e tretë është në proces finalizimi. Ende nuk ka një datë përfundimtare se kur do të mund të jenë gati bankat e tjera që operojnë në treg.
Përpara se sistemi do të mund të bëhet operacional, do të duhet të realizohen testime dhe për të aksesuar në sistemet e bankave, palët e treta, do të duhet gjithashtu të pajisjen me certifikatat përkatëse të sigurisë. Por certifikata sigurie nevojiten gjithashtu edhe thjesht për ndërmarrjen e testimeve. Ekofin mësoi se institucionet e parasë elektronike kanë shtuar në këtë periudhë komunikimet me Bankën e Shqipërisë, duke i kërkuar të shtyjë më tepër bankat e nivelit të dytë në zbatimin e detyrimeve ligjore që vijnë si pasojë e ligjit të ri për shërbimet e pagesave. Qershori po vjen dhe gjasat janë që të ketë një shtyrje tjetër, të paktën deri në fund të vitit. Ekofin.al
