Mbyllja e papritur e festivalit, e ndjekur nga kontrollet e shërbimeve të emergjencës për mina dhe prania e shtuar e forcave të sigurisë, pati ndikim të ndjeshëm negativ në efektin financiar të ngjarjes.
Oktoberfest 2025, festivali më i madh popullor në botë, u mbyll të dielën në qytetin jugor gjerman të Mynihut, por përveç muzikës, karuselve dhe birrës së zakonshme, ky edicion u veçua për një arsye tjetër: ishte një nga rastet e rralla kur Oktoberfest rezultoi me humbje financiare.
Zakonisht, eventi gjeneron rreth 1.57 miliardë euro për qytetin, por këtë vit pati një goditje ekonomike, pasi sheshi i festivalit në Theresienwiese u hap vetëm pjesërisht për një numër më të vogël vizitorësh, pas një alarmi për bombë në fillim të tetorit.
Sheshi u mbyll për disa orë mëngjesin e 1 tetorit, pas një kërcënimi për sulm me bombë nga një person i dyshuar që lidhej me një shpërthim në një ndërtesë banimi në veri të qytetit, sipas autoriteteve.
Mbyllja dhe kontrollet e mëvonshme për mina, së bashku me masat shtesë të sigurisë, sollën një efekt domino në ekonominë e festivalit.
Faktori ekonomik
Zakonisht, blerjet, vizitat turistike, taksitë dhe netët e kaluara në hotele nga vizitorët që vijnë nga jashtë Mynihut përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave të Oktoberfestit — rreth 937 milionë euro, sipas autoriteteve lokale.
Pjesa tjetër prej 634 milionë eurosh gjenerohet gjatë 16 ditëve të festivalit, nga shpenzimet për ushqim, karusele, suvenire dhe, natyrisht, birrë. Çmimet e pijeve këtë vit varionin nga 10 deri në 15 euro, ndërsa një gotë birrë kushtonte nga 14.50 deri në 15.80 euro.
Një ditë e Oktoberfest-it në shifra
Nëse këto shifra ndahen për çdo ditë, të ardhurat arrijnë rreth 39.63 milionë euro në ditë. Duke llogaritur një orar mesatar hapjeje prej 14 orësh, rezulton se çdo orë nëpër tenda, stenda ushqimi dhe pistat e qitjes qarkullojnë rreth 2.83 milionë euro.
Por për shkak të mbylljes së festivalit si pasojë e alarmit për bombë, Oktoberfest 2025 pritet të humbasë rreth 21.2 milionë euro.
Peter Inselkammer, drejtuesi aktual i tendave të festivalit, vlerësoi se humbjet financiare në ditën e mbylljes arrijnë deri në 50% të të ardhurave ditore. Ai shtoi se një pjesë e dëmit mund të mbulohet nga kompanitë e sigurimeve.
Mbyllja gjatë periudhës fitimprurëse të drekës pritet të ketë qenë më e kushtueshmja, pasi rezervimet e tavolinave kushtojnë disa qindra euro secila. Pronaret e tendave tashmë po ofrojnë kompensim për klientët që nuk mundën të marrin pjesë për shkak të mbylljes.
Ndikimi total financiar do të bëhet i qartë vetëm pasi të përfundojë numërimi i të gjitha arkëtimeve, por është pothuajse e sigurt se do të jetë larg rekordeve të vitit 2023, kur 7.2 milionë vizitorë konsumuan 7.4 milionë litra birrë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
