Shqipëria është vendi me performancën më të mirë në grupin e treguesve të gjelbër “Greening” për periudhën 2020–2023 dhe i vetmi vend që ka përparuar drejt konvergjencës me BE-në në këtë fushë. Shqipëria tejkalon mesataren e BE-së në disa tregues kyç, ndërkohë që pjesa tjetër e rajonit ka ngelur pas. Performanca e përgjithshme e Shqipërisë shënon 103 pikë, ndjekur nga Mali i Zi me 60 pikë, duke qenë kështu mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor që është 47. Kosova renditet e fundit për Klasterin e Gjelbër, duke shënuar vetëm 6 pikë.
Sipas raportit të OECD për vitin 2025, disa nga pikat e forta të Shqipërisë është që ka nivelin më të ulët të intensitetit të emetive të karbonit në rajon dhe është e vetmja që qëndron nën mesataren e BE-së, falë mbështetjes tërësore në burime të rinovueshme për prodhimin e energjisë, kryesisht hidrocentrale.
Duke pasur parasysh rolin e emetimeve në nxitjen e ndryshimeve klimatike dhe ndjeshmërinë e Ballkanit Perëndimor ndaj ndikimeve të tyre, politikat e zbutjes së ndryshimeve klimatike kanë fituar vrull, duke u përqendruar gjithnjë e më shumë në uljen e emetimeve deri në objektivat e vitit 2030 (OECD, 2024). Megjithatë, rajoni është përballur me vonesa të konsiderueshme në miratimin dhe zbatimin e Planeve Kombëtare të Energjisë dhe Klimës (NECP), të cilat janë thelbësore për përmbushjen e këtyre objektivave. Që nga shkurti i vitit 2025, vetëm Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë miratuar me sukses NECP-të.
Sa i përket produktivitetit energjitik, Shqipëria është e vetmja që e kalon mesataren e BE-së (168.5 nga 78.5 që është mesatarja), duke prodhuar më shumë vlerë ekonomike për çdo njësi energjie të konsumuar. Kjo lidhet me strukturën e orientuar drejt sektorit të shërbimeve, që është më pak energji-intensiv. Po kështu, Shqipëria është përjashtim në rajon për konsum të ulët të energjisë fosile, duke mos përdorur qymyr për energji elektrike, ndryshe nga Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, që varen mbi 60% nga ky burim.
Krahas këtyre avantazheve, vendi paraqet disa dobësi në krahasim me fqinjët ballkanikë. Shqipëria ka potencial të madh të pashfrytëzuar për energji diellore dhe erë, por për vitin 2023, përbërja e burimeve ishte 91.2% hidro dhe vetëm 8.8% diellore, pa asnjë përdorim të energjisë nga era apo bioenergji.
Shqetësim mbetet menaxhimi i mbetjeve urbane ku rreth 63% e mbetjeve urbane në Shqipëri përfundojnë në landfille, më shumë se mesatarja e BE-së dhe më mirë vetëm se Kosova dhe Mali i Zi. Megjithëse janë planifikuar reforma si skema për përgjegjësinë e prodhuesve, zbatimi mbetet i kufizuar.
Po kështu, sa i përket produktivitetit të ujit, Shqipëria mbetet shumë poshtë nivelit të BE-së (vetëm 33% e saj), si pjesë e një problemi më të gjerë rajonal për përdorimin joeficient të burimeve ujore dhe ndotjen. /ekofin.al

