Drejtësia dhe transporti rezultojnë dy sektorët me nivelin më të ulët të digjitalizimit të shërbimeve publike në Shqipëri, duke marrë secili vetëm 40 pikë nga 100 në treguesin e disponueshmërisë online. Sipas raportit të OECD, “Shërbimet Publike Digjitale në Ballkanin Perëndimor”, këto dy fusha mbeten ndjeshëm pas mesatares së Bashkimit Europian, në kontrast me përparimin e shënuar nga Shqipëria në digjitalizimin e administratës qendrore.
Vlerësimi mbështetet në matjet e kryera gjatë viteve 2022–2023 dhe evidenton hendekun mes shërbimeve që ofrohen përmes platformës e-Albania dhe atyre të institucioneve të tjera, përfshirë gjykatat, bashkitë dhe universitetet.
Në sektorin e drejtësisë, OECD konstaton se në kohën e mbledhjes së të dhënave, në vitin 2023, qytetarët nuk kishin mundësi të paraqisnin online kërkesa për çështje gjyqësore me vlerë të vogël. Gjithashtu, nuk mund të ngarkonin në mënyrë elektronike provat përkatëse apo të paraqisnin ankime përmes portaleve të shqyrtuara.
Mangësi të ngjashme evidentohen edhe në transport. Në asnjërin prej nëntë portaleve elektronike bashkiake të analizuara nuk ishte e mundur të sigurohej online një leje parkimi. Po kështu, portali i Hekurudhës Shqiptare nuk ofronte mundësinë e paraqitjes elektronike të kërkesave për rimbursimin e biletave.
Këto gjetje tregojnë se, ndonëse një pjesë e madhe e procedurave administrative janë zhvendosur në internet, digjitalizimi nuk është shtrirë në mënyrë të njëtrajtshme në institucionet dhe shërbimet publike.
Gjykatat ende pas në shkëmbimin automatik të të dhënave
Raporti gjen si problematikë edhe integrimin e sistemeve elektronike dhe përdorimin automatik të informacionit që administrata zotëron tashmë për qytetarët.
Sipas OECD, në shërbimet e drejtësisë dhe arsimit të lartë, treguesi i plotësimit automatik të formularëve me të dhënat personale rezultonte 0%. Kjo do të thotë se portalet e gjykatave dhe universiteteve të përfshira në vlerësim nuk e ofronin këtë funksionalitet.
Situata është dukshëm e ndryshme në shërbimet e tjera. Plotësimi automatik i të dhënave arrinte në 92% për shërbimet e bizneseve, ishte i plotë për shërbimet e lidhura me familjen dhe shëndetësinë, ndërsa për shërbimet e punësimit dhe karrierës arrinte në 83%.
OECD vlerëson se Shqipëria ka krijuar një infrastrukturë të zhvilluar për shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet institucioneve publike, por përfitimet e saj mbeten të përqendruara kryesisht në administratën qendrore.
Bashkitë dhe institucionet e pavarura, si gjykatat dhe universitetet, nuk e zbatojnë ende në mënyrë të plotë shkëmbimin automatik të informacionit në pjesën më të madhe të shërbimeve të tyre.
95% e shërbimeve qendrore online, por institucionet e tjera mbeten pas
Diferencat ndërmjet institucioneve pasqyrohen edhe në treguesin e përgjithshëm të disponueshmërisë së shërbimeve elektronike.
Sipas raportit, në fund të vitit 2025, rreth 95% e shërbimeve të administratës qendrore në Shqipëri ofroheshin plotësisht online, nga aplikimi deri te marrja e dokumentit përfundimtar.
Megjithatë, treguesi i disponueshmërisë së shërbimeve digjitale sipas metodologjisë europiane DESI rezulton 61 pikë nga 100.
OECD shpjegon se kjo diferencë lidhet me faktin që vlerësimi europian nuk kufizohet vetëm te administrata qendrore, por përfshin edhe shërbimet e bashkive, spitaleve, universiteteve, gjykatave dhe institucioneve të tjera, ku digjitalizimi është më i pabarabartë.
Nga shtatë fushat e shërbimeve publike të analizuara, Shqipëria paraqet performancën më të mirë në shërbimet që lidhen me punësimin dhe karrierën, ku shumica e procedurave mund të përfundohen plotësisht online. Edhe shërbimet për familjet dhe shëndetësinë tejkalojnë nivelin prej 70 pikësh nga 100.
Ndërkohë, drejtësia dhe transporti mbeten në fund të renditjes sektoriale, me nga 40 pikë secili./ekofin.al
