Taksat e ulëta, që nuk përditësohen në përputhje me inflacionin, janë joefektive në uljen e konsumit të alkoolit apo pijeve me sheqer, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Qeveritë duhet të rrisin taksat mbi pijet me sheqer dhe alkoolin për të ulur normat në rritje të obezitetit, diabetit, sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe dëmtimeve, sipas raporteve të reja të OBSH-së.
Në dy raporte të publikuara të martën, OBSH paralajmëroi se taksat e ulëta, që nuk ndjekin inflacionin, po i lejojnë këto produkte të mbeten të përballueshme, ndërkohë që sistemet shëndetësore po përballen me barrën e sëmundjeve që mund të parandaloheshin.
Sipas OBSH-së, taksat mbi alkoolin dhe pijet e ëmbëlsuara me sheqer janë ndër mjetet më efektive që kanë qeveritë për të ulur konsumin, sepse çmimet më të larta mund ta reduktojnë, vonojnë apo edhe parandalojnë plotësisht konsumin e alkoolit dhe sheqerit.
“Taksat shëndetësore janë një nga mjetet më të fuqishme që kemi për promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së.
“Duke rritur taksat mbi produkte si pijet me sheqer dhe alkooli, qeveritë mund të ulin konsumin e dëmshëm dhe të sigurojnë fonde për shërbime jetike shëndetësore.”
Raportet publikohen në një kohë kur OBSH u bën thirrje vendeve të rrisin dhe të rikonceptojnë taksat si pjesë e një nisme të re, që synon rritjen reale të çmimeve të alkoolit dhe pijeve me sheqer deri në vitin 2035.
Gjetjet bazohen në një analizë të çmimeve dhe niveleve të taksimit për birrën, pijet e forta dhe pijet e ëmbëlsuara me sheqer në më shumë se 150 vende në vitin 2024, si dhe në një rishikim të politikave tatimore në rreth 180 vende. OBSH krahasoi gjithashtu të dhënat e vitit 2024 me ato të vitit 2022 për të ndjekur ndryshimet me kalimin e kohës.
Birra dhe pijet e forta po bëhen më të përballueshme pavarësisht taksave
Konsumi i alkoolit është një nga rreziqet kryesore globale për më shumë se 200 gjendje shëndetësore, përfshirë kancerin, si dhe për shumë probleme të sjelljes, si depresioni, ankthi dhe çrregullimet nga përdorimi i alkoolit. Më shumë se 2.6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga gjendje të lidhura me alkoolin, tha OBSH.
Mbi 160 vende taksojnë pijet alkoolike, ose mbi bazën e çmimit të pijeve, ose mbi përmbajtjen e alkoolit. Në disa vende, alkooli i nënshtrohet gjithashtu taksave të përgjithshme të shitjes që rrisin çmimet e të gjitha mallrave.
Megjithatë, OBSH konstatoi se birra dhe pijet e forta ose janë bërë më të përballueshme, ose kanë mbetur në të njëjtin çmim që nga viti 2022, pasi normat e taksave nuk përditësohen rregullisht për të ndjekur inflacionin.
Më pak se një në katër vende që aplikojnë taksa mbi alkoolin i përditësojnë rregullisht normat tatimore, çka bën që inflacioni të gërryejë efektin e tyre dhe ta bëjë alkoolin më të lirë me kalimin e kohës.
Në nivel global, birra tatohet mesatarisht me 14% të çmimit total, ndërsa pijet e forta me 22.5%. Një birrë tipike 330 mililitra (ml) kushton 2.47 dollarë (2.10 euro), dhe vetëm 0.52 dollarë (0.44 euro) e kësaj shume janë taksa. Një shishe 750 ml pije të forta kushton mesatarisht 22.67 dollarë (19.28 euro), nga të cilat 6.44 dollarë (5.48 euro) janë taksa.
Të paktën 25 vende në botë, kryesisht evropiane, nuk e taksojnë verën, pavarësisht asaj që OBSH e përshkruan si “rreziqe të qarta shëndetësore”, përfshirë rrezikun më të lartë të kancerit te gratë që konsumojnë më shumë se 1.5 litra verë në javë.
Vetëm 28 vende dedikojnë të ardhurat nga taksat mbi alkoolin për parandalim dhe trajtim, si programe të kontrollit të alkoolit, fushata të shëndetit publik apo financimin e sistemit shëndetësor.
OBSH bën thirrje për taksa mbi bazë sheqeri për pijet
Pijet e ëmbëlsuara me sheqer (SSB), si pijet e gazuara apo lëngjet e frutave, rrisin rrezikun e obezitetit, prishjes së dhëmbëve dhe disa sëmundjeve kronike, si kanceri, diabeti dhe problemet e zemrës, sipas zyrës së OBSH-së për Mesdheun Lindor.
Këto pije janë ndër burimet kryesore të marrjes së sheqerit në shumë vende dhe kanë pak ose aspak vlerë ushqyese, shtoi organizata.
Ndërsa 116 vende taksojnë disa pije me sheqer, si pijet e gazuara dhe ato energjike, shumica nuk taksojnë produkte të tjera me përmbajtje të lartë sheqeri, përfshirë lëngjet e frutave, pijet me qumësht të ëmbëlsuar dhe kafenë apo çajin e gatshëm.
Analiza e OBSH-së zbuloi se pijet me sheqer taksohen ose mbi bazën e çmimit total, ose mbi madhësinë e pijes.
Më pak se një në katër vende i takson pijet në bazë të sasisë së sheqerit të shtuar, pavarësisht rekomandimeve të OBSH-së se taksat e bazuara në sheqer janë më efektive, pasi nxisin konsumatorët të kalojnë te alternativat me pak ose pa sheqer.
Taksat shtojnë mesatarisht vetëm 2% në çmimin e një pijeje me sheqer. Në nivel global, një shishe tipike 330 ml pije e gazuar kushton 1.56 dollarë (1.33 euro), nga të cilat vetëm 0.15 dollarë (0.13 euro) janë taksa.
Gati gjysma e vendeve që taksojnë pijet me sheqer taksojnë edhe ujin e ambalazhuar, një praktikë që OBSH e dekurajon, duke theksuar se alternativat e shëndetshme duhet të mbeten të përballueshme.
Nga 116 vendet që aplikojnë taksa mbi pijet me sheqer, vetëm 10 i dedikojnë fondet e mbledhura për programe shëndetësore.
“Alkooli më i përballueshëm nxit dhunën, dëmtimet dhe sëmundjet,” tha Etienne Krug, drejtor i departamentit të OBSH-së për determinantët e shëndetit, promovimin dhe parandalimin.
“Ndërsa industria përfiton, publiku shpesh mban pasojat shëndetësore dhe shoqëria kostot ekonomike,” shtoi ai./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

