Strukturat e specializuara të Administratës Tatimore dhe Administratës Doganore kanë ushtruar kontrolle në disa pika karburanti, të orientuara nga analiza e riskut, e cila evidentoi subjekte që shisnin karburant mbi çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës.
Rastet e 13 tatimpaguesve u administruan dhe u analizuan më tej nga strukturat përgjegjëse, duke u fokusuar në deklarimet e tyre tatimore dhe përputhshmërinë me detyrimet ligjore.
Pas monitorimit në distancë për të verifikuar dyshimet për shmangie të detyrimeve tatimore, u ushtruan kontrolle në terren, ku u konfirmuan një sërë shkeljesh.
Ndër shkeljet e konstatuara janë: moslëshim i faturës tatimore, mungesë e listës së çmimeve, mungesë e dokumentacionit tatimor, mospërditësim i të dhënave, mosinstalim i pajisjeve të fiskalizimit, si dhe punonjës të padeklaruar.
Gjatë kontrolleve u administruan edhe deklaratat e tatimpaguesve dhe faturat e blerjes së produktit, për të verifikuar arsyet e shitjes mbi çmimet e bordit.
Subjektet u penalizuan për shkeljet e konstatuara, në përputhje me ligjin “Për procedurat tatimore”, ndërsa 3 prej tyre iu referuan Bordit të Transparencës për pezullim të përkohshëm të aktivitetit.
Ndërkohë, pjesa tjetër e subjekteve është ende në proces verifikimi dhe analizimi nga Administrata Tatimore, e cila do të vijojë kontrollet në të gjithë vendin për të garantuar respektimin e çmimeve të përcaktuara dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet, thuhet në njoftim.
