Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRr) bën të ditur se, në dhjetor nis ofrimin e detyruar të njohurive mbi sigurinë rrugore për rinovuesit e patentave.
“Çdo vit rreth 100 mijë qytetarë rinovojnë lejedrejtimin. Nisur nga numri gjithnjë në rritje i përdoruesve të rrugës, ndryshimet në aktet ligjore shqiptare e direktivat europiane dhe nevoja për përditësim të drejtuesve të mjeteve rrugore, në rritje, DPSHTRr nga dhjetori 2021 (muaj me fluks të lartë aplikimesh edhe nga ardhja e shumë emigrantëve) do të nisë ofrimin e detyruar të freskimit të njohurive dhe informacioneve më thelbësore mbi sigurinë rrugore, kujdesin ndaj fëmijëve e pasagjerëve në kabinë, vëmendjen ndaj pedaluesve e këmbësorëve, sjelljen në trafik e në zonat urbane, pikat e nxehta të rrezikut, orientime mbi masat e reja nga ndryshimet në Kodin Rrugor dhe Rregulloren e KRR, risitë nga Automotorizimi Shqiptar, ARSH, Siguracionet, Policia Rrugore, Ndihma e Parë, bashkitë, importimi i mjeteve rrugore e detyrime dhe të drejtave”, njoftoi DPSHTRr-ja.
Një broshurë me detyrimin e njohjes dhe nënshkrimin e marrjes dijeni, falas (që do të publikohet edhe online), përgatitur nga profesionistë të fushës, një intervistë e shkurtër verifikuese dhe një apel-kujtesë për historikun e masave/gjobave të marra nga personi, do të jenë risia e këtij fundviti për të gjithë aplikantët që do të rinovojnë, dublikojnë apo do t’u rilëshohet lejedrejtimi pranë sporteleve të DPSHTRr.