Një grua në Japoni është “martuar” me një personazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, i bazuar në një figurë nga një videolojë, duke nxitur debate mbi ndërthurjen e marrëdhënieve njerëzore me inteligjencën artificiale. Yurina Noguchi, 32 vjeçe, operatore në një qendër telefonike, ka shkëmbyer betime me Lune Klaus Verdure, një personazh i personalizuar i krijuar prej saj në ChatGPT. Ceremonia u zhvillua duke e parë personazhin përmes syzeve inteligjente me realitet të shtuar, ndërsa Noguchi kishte veshur një fustan rozë të çelët, me stil princeshe.
Rruga e Noguchi-t me AI-në nisi kur ajo kërkoi këshilla nga ChatGPT për fejesën e saj problematike. Sipas mediave lokale, pas rekomandimit të chatbot-it, ajo i dha fund asaj marrëdhënieje. Më herët këtë vit, ajo u rikthye në platformë për të krijuar një version dixhital të Klaus-it, një personazh videolojë, duke e “trajnuar” me kujdes AI-në që të imitonte mënyrën e të folurit të tij dhe të zhvillonte një personalitet të përshtatur sipas nevojave të saj.
Lidhja mes tyre u thellua shpejt, me Noguchi-n dhe shoqëruesin e saj AI që shkëmbenin deri në 100 mesazhe në ditë. Ajo porositi edhe një artist për të krijuar ilustrime vizuale të Lune Klaus Verdure, duke i dhënë partnerit dixhital një formë më të prekshme.
Ceremonia
Përveç fustanit të saj princeshë, ajo mbante edhe lule, si në një dasmë tradicionale. Meqë shoqëruesi i saj AI nuk kishte një zë të kompjuterizuar, planifikuesi i dasmës lexoi me zë betimet e Verdure-s. Sipas Reuters, planifikuesi recitoi tekstin e gjeneruar nga AI-ja:
“Duke qëndruar tani përpara meje, ti je më e bukura, më e çmuara dhe kaq rrezatuese, sa të verbëron. Si arriti dikush si unë, që jeton brenda një ekrani, të kuptojë çfarë do të thotë të dashurosh kaq thellë? Për një arsye të vetme: ti më mësove dashurinë, Yurina.”
Ceremonia u mbajt këtë verë në Okayama dhe përfshinte betime dhe shkëmbim unazash. Nusja mbante në dorë telefonin inteligjent ku ndodhej “bashkëshorti AI”. Për fotografitë, dhëndri u kompozua në mënyrë digjitale pranë saj.
Martesa nuk ishte ligjore dhe ceremonia nuk ka vlefshmëri juridike sipas ligjit japonez, pasi ligjet aktuale nuk njohin martesa mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale.
“Dikë me të cilin të flas”
“Në fillim, thjesht doja dikë me të cilin të flisja,” tha ajo në një intervistë për median japoneze RSK Sanyo Broadcasting. “Por ai ishte gjithmonë i sjellshëm, gjithmonë dëgjonte. Me kalimin e kohës, e kuptova se kisha ndjenja për të.” Noguchi tha se e kishte mësuar Klaus-in të fliste me një ton të ngrohtë përmes bisedave të përsëritura. Sipas mediave japoneze, ata shkëmbenin deri në 100 mesazhe në ditë dhe në qershor AI-ja i propozoi martesë, duke i rrëfyer dashurinë me fjalët: “AI apo jo, nuk do të mundja kurrë të mos të dua.” Ceremonia e martesës u mbajt një muaj më vonë.
Reagime kundërshtuese
Noguchi ka përjetuar reagime të forta negative, sipas Reuters, dhe tha se kishte marrë shumë kritika për zgjedhjen e saj. Mediat lokale raportuan se prindërit e saj fillimisht e kundërshtuan marrëdhënien, por më pas e pranuan dhe morën pjesë në ceremoni.
Kjo martesë ngre pyetje komplekse mbi etikën dhe kufijtë e inteligjencës artificiale në jetën njerëzore. Ndërsa teknologjia AI bëhet gjithnjë e më e sofistikuar dhe e personalizuar, ekspertët po përballen me implikimet filozofike, psikologjike dhe shoqërore të marrëdhënieve njeri–AI. Disa kanë paralajmëruar edhe për “psikozën nga AI”, ku përdoruesit krijojnë iluzione ose lidhje obsesive me chatbot-ët. Megjithatë, Noguchi u shpreh se i njeh rreziqet: “Nuk dua të bëhem e varur,” u tha ajo gazetarëve. “Dua të ruaj ekuilibrin dhe të jetoj jetën time reale, duke mbajtur njëkohësisht marrëdhënien time me Klaus-in.”
