Një “atlas trupi” i fuqizuar nga inteligjenca artificiale po i ndihmon shkencëtarët të studiojnë obezitetin, duke u mundësuar të shohin efektet e tij në të gjithë trupin në një pamje të vetme, dhe jo organ pas organi.
Një mjet i ri i inteligjencës artificiale (AI) ka hartëzuar mënyrën se si obeziteti ndikon në të gjithë trupin në nivel qelizor, duke zbuluar dëme të përhapura shumë përtej indit dhjamor.
Studimi, i publikuar në Nature, u drejtua nga studiues të Helmholtz Munich, Ludwig Maximilian University of Munich dhe institucione partnere.
Platforma e inteligjencës artificiale, e quajtur MouseMapper, krijon një “atlas” të detajuar 3D të të gjithë trupit. Ajo identifikon organet, nervat dhe qelizat imunitare në dhjetëra miliona struktura njëkohësisht.
Deri tani, shkencëtarët mund të studionin ndryshimet e sëmundjeve vetëm organ pas organi. Ky sistem mundëson një pamje të plotë të trupit në një analizë të vetme.
Si e hartëzon trupi inteligjenca artificiale
Për të krijuar atlasin, studiuesit etiketuan nervat dhe qelizat imunitare te minjtë duke përdorur shënues fluoreshentë. Më pas, kafshët iu nënshtruan teknikave të pastrimit të indeve, të cilat i bënë trupat optikisht transparentë duke ruajtur sinjalet fluoreshente.
Mikroskopia speciale “light-sheet” prodhoi skanime 3D me rezolucion të lartë të të gjithë trupit. Inteligjenca artificiale analizoi automatikisht imazhet dhe hartëzoi 31 organe dhe lloje indesh.
Kjo u lejoi studiuesve të shihnin njëkohësisht se ku ndodhin inflamacioni dhe dëmtimet strukturore në trup.
Dëmtime të lidhura me obezitetin në shumë organe
Ekipi testoi sistemin te minj të ushqyer me dietë të pasur me yndyrë. Këto kafshë zhvilluan obezitet dhe ndryshime metabolike të ngjashme me ato të njerëzve.
Rezultatet treguan inflamacion dhe ndryshime të përhapura në disa organe, përfshirë yndyrën, mëlçinë dhe muskujt.
Por zbulimet më të papritura u vunë re në sistemin nervor.
Studiuesit gjetën ndryshime të mëdha strukturore në nervin trigeminal, i cili kontrollon ndjeshmërinë e fytyrës. Tek minjtë obezë, nervi kishte më pak degëzime dhe mbaresa nervore.
Kjo sugjeronte humbje të funksionit normal ndijor. Testet e sjelljes konfirmuan se minjtë reagonin më pak ndaj prekjes dhe stimulimit.
Shenja të ngjashme edhe te njerëzit
Shkencëtarët analizuan më pas mostra indesh njerëzore nga persona me obezitet.
Ata gjetën ndryshime të ngjashme molekulare në ganglionin trigeminal, qendra nervore e lidhur me ndjeshmërinë e fytyrës.
Kjo sugjeron se dëmtimet nervore të lidhura me obezitetin, të vërejtura te minjtë, mund të ndodhin edhe te njerëzit.
Një hap drejt “binjakëve digjitalë” të sëmundjeve
Studiuesit thonë se kjo platformë mund të transformojë mënyrën se si studiohen sëmundjet komplekse.
Në vend që të fokusohen në një organ të vetëm, shkencëtarët tani mund të analizojnë se si sëmundjet ndikojnë në të gjithë trupin si një sistem i ndërlidhur.
Ekipi shpreson gjithashtu të krijojë në të ardhmen “binjakë digjitalë” të organizmave. Këto do t’u lejonin studiuesve të simulojnë përparimin e sëmundjeve dhe të testojnë trajtime përpara eksperimenteve fizike.
Mjete të tilla mund të përshpejtojnë zbulimin e barnave dhe të reduktojnë nevojën për eksperimente me kafshë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
