Në Tiranë ka nisur sot shpërndarja e aboneve falas për pensionistët, të cilët nga 1 janari i vitit 2025 do të udhëtojnë falas në të gjitha linjat urbane të kryeqytetit.
Pajisja e qytetarëve përfitues me abone pensionisti, pranë pikave të shpërndarjes së aboneve të pensionistit, bëhet e shoqëruar me foto dhe plotësohet me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit.
Gjatë udhëtimit në mjetet e shërbimit të transportit publik qytetas përfituesit duhen të kenë me vete abonenë e pensionistit dhe Kartën e Identitetit.
Në pikat e shpërndarjes gjatë ditës së sotme pati radhë nga pensionistët. Ata kërkojnë që aboneja të jetë për një periudhë 1- vjeçare dhe të mos e tërheqin çdo muaj duke qëndruar në radha të gjata.
Pensionistët kërkojnë që aboneja të jetë për një periudhë 1- vjeçare dhe të mos e tërheqin çdo muaj duke qëndruar në radha të gjata. Sipas tyre duhej një zgjidhje tjetër më optimale që mos të prisnin në radhë.
Abonetë e pensionistëve do të subvencionohen nga bashkia e Tiranës.
Nga kjo nismë e propozuar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe e miratuar nga këshilli bashkiak i Tiranës, përfitojnë 177 mijë pensionistë, të cilët kanë mundësinë të pajisen me abone të përgjithshme falas për transportin publik.
Nga 16 dhjetori qytetarët vijojnë të paraqiten pranë njësive administrative për regjistrimin në portalin e përfitimit të së drejtës për abone pensionisti.
Përfitues janë të gjithë personat banues në bashkinë e Tiranës, femrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe meshkujt të cilët kanë mbushur moshën 65 vjeç.