Një sondazh i konsumatorëve i vitit 2023 zbuloi se 42% e pasagjerëve do të merrnin në konsideratë pagesën e një tarife për ta mbajtur vendin e mesëm bosh.
Të kesh një vend të lirë pranë teje gjatë fluturimit ndihet si të fitosh xhekpotin, dhe disa linja ajrore tradicionale tashmë ofrojnë mundësi që pasagjerët të paguajnë për këtë luks.
Tani, një linjë ajrore evropiane me kosto të ulët po teston një skemë të ngjashme.
Transportuesi hungarez low-cost Wizz Air ka lançuar “Wizz Class”, e cila u ofron pasagjerëve premium shtesa, përfshirë një vend pa fqinj, kundrejt një tarife shtesë.
Ja si funksionon dhe cilat kompani të tjera ofrojnë shërbime të ngjashme.
Wizz Air lejon rezervimin e një vendi fqinj të lirë për pasagjerët premium
Pasagjerët që zgjedhin të blejnë Wizz Class caktohen në një vend në korridor ose pranë dritares dhe mund të bllokojnë vendin e mesëm (B ose E) ngjitur me të.
Përfitime të tjera përfshijnë vende me hapësirë shtesë për këmbët, imbarkim me përparësi, dy artikuj bagazhi kabine, një snack dhe një pije joalkoolike në bord.
Shërbimi është i disponueshëm për fluturime të përzgjedhura nga dhe drejt Budapestit, Bukureshtit Otopeni, Londrës Luton, Londrës Gatwick, Romës Fiumicino dhe Varshavës.
Pasagjerët mund ta zgjedhin Wizz Class si përmirësim gjatë procesit të rezervimit.
Linja ajrore evropiane që lejojnë rezervimin e rreshtave të plotë
Disa transportues të tjerë evropianë ofrojnë skema të ngjashme. Opsioni i Air France, “Empty Seat – My Extra Space”, u lejon pasagjerëve të privatizojnë deri në tre vende ngjitur.
Ky opsion ofrohet në kohë reale gjatë check-in dhe varet nga disponueshmëria. Çmimet ndryshojnë sipas destinacionit të fluturimit dhe numrit të vendeve që pasagjerët zgjedhin t’i mbajnë bosh.
Lufthansa ofron skemën “Free Neighbour Seat”, me të cilën është e mundur të rezervohet vendi fqinj si në linjat kontinentale ashtu edhe në ato ndërkontinentale. Rezervimi bëhet duke kontaktuar Qendrën e Shërbimit të linjës ajrore.
Lufthansa promovon gjithashtu opsionin “Sleeper’s Row”, i cili u jep pasagjerëve një rresht të plotë prej tre ose katër vendesh në klasën Economy në fluturime të gjata. Në këtë rast, pasagjerët marrin edhe një set “Sleeper’s Row” në bord, që përfshin një dyshek të hollë, si dhe një batanije dhe jastëk të cilësisë së Business Class.
Në fluturime me kohëzgjatje rreth 11 orë ose më shumë, ky opsion mund të rezervohet drejtpërdrejt gjatë check-in ose pak para nisjes në portë, në varësi të disponueshmërisë. Ka një tarifë shtesë nga 159 € deri në 229 € për segment. Rezervimi paraprak nuk është i mundur./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

