Hotelet, restorantet dhe kafenetë në Shqipëri do të përballen me kufizime dhe rregulla të reja për përdorimin e ambalazheve njëpërdorimëshe, ndërsa konsumatorët do të kenë mundësi të blejnë kafe, pije dhe ushqime me vete duke përdorur enët e tyre të ripërdorshme, pa paguar më shumë.
Projektvendimi në konsultim publik për ambalazhet dhe mbetjet e tyre, i cili vendos detyrime të ndryshme për bizneset duke nisur nga viti 2028 deri në vitin 2030.
Parashikimi kryesor prek sektorin e hotelerisë. Nga 1 janari 2030, projektvendimi parashikon ndalimin e ambalazheve njëpërdorimëshe për produktet e higjienës dhe kozmetikës që ofrohen në dhomat e hoteleve për një qëndrim individual dhe hidhen përpara mbërritjes së klientit tjetër.
Në këtë kategori përfshihen shishet e vogla të shampos, locionet për duart dhe trupin, si dhe sapunët e paketuar individualisht. Kjo do t’i orientojë strukturat akomoduese drejt alternativave të ripërdorshme, si dispenserët që mund të rimbushen, për të reduktuar mbetjet plastike.
Kufizimet do të prekin edhe restorantet dhe kafenetë. Nga e njëjta datë, parashikohet ndalimi i ambalazheve plastike njëpërdorimëshe për ushqimet dhe pijet që konsumohen brenda ambienteve të biznesit, përfshirë hapësirat e jashtme të ngrënies. Mes produkteve të përfshira janë gotat, pjatat, tabakatë dhe kutitë plastike njëpërdorimëshe.
Gjithashtu, do të kufizohen paketimet individuale plastike të sheqerit, salcave, erëzave dhe produkteve të tjera të ngjashme që përdoren në shërbimin e restoranteve dhe kafeneve.
Projektvendimi parashikon përjashtime për disa përdorime, përfshirë paketimet individuale që shoqërojnë ushqimin e gatshëm për marrje me vete dhe rastet kur paketimi është i nevojshëm për arsye shëndetësore ose higjienike. Për mikrondërmarrjet parashikohen gjithashtu përjashtime të kushtëzuara, kur nuk është teknikisht e mundur të shmanget ambalazhi plastik ose mungon infrastruktura e nevojshme për ripërdorimin.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me shërbimin e ushqimeve dhe pijeve për marrje me vete. Nga 12 shkurti 2029, restorantet, kafenetë dhe subjektet e tjera të sektorit HoReCa që ofrojnë këto shërbime do të duhet të pranojnë enët e ripërdorshme të sjella nga vetë konsumatorët.
Nëse një klient paraqitet me gotën e tij për kafe ose me një enë për ushqimin, biznesi nuk mund t’i vendosë çmim më të lartë sesa për të njëjtin produkt të shitur në ambalazhin njëpërdorimësh të lokalit. Operatorët mund të ofrojnë edhe ulje çmimesh, bonuse ose stimuj të tjerë për të nxitur këtë praktikë.
Megjithatë, bizneset kanë të drejtë të refuzojnë mbushjen e enëve që janë dukshëm të papastra ose paraqesin rrezik për higjienën dhe sigurinë ushqimore.
Një detyrim tjetër, i parashikuar nga 12 shkurti 2028, kërkon që bizneset e këtij sektori t’u ofrojnë klientëve edhe mundësinë e marrjes së ushqimeve dhe pijeve në ambalazhe të ripërdorshme, brenda një sistemi të organizuar ripërdorimi. Nga ky detyrim përjashtohen mikrondërmarrjet.
Ndërkohë, nga 1 janari 2030, operatorët që i nënshtrohen këtij detyrimi do të synojnë që të paktën 10% e produkteve për marrje me vete të ofrohen në ambalazhe të ripërdorshme.
Bizneset do të duhet gjithashtu të informojnë klientët për këto mundësi nëpërmjet tabelave ose njoftimeve të dukshme në pikat e shitjes./ekofin.al
