Në Shqipëri nuk do të lejohet më hedhja e baterive të makinave, pajisjeve elektrike dhe elektronike apo pjesëve të makinave. Ligji i ri për menaxhimin e mbetjeve përfshin gjithçka: nga bateritë dhe pajisjet elektronike, te automjetet e vjetra dhe gomat e përdorura, me gjoba që mund të arrijnë deri në 10 milionë lekë për ata që veprojnë në kundërshtim me rregullat.
Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përkatës, përcakton rregullat dhe standardet për mënyrën si prodhohen, tregtohen dhe trajtohen bateritë. Ligji kërkon që në treg të mos hidhen bateri që përmbajnë substanca të rrezikshme, si dhe vendos standarde teknike për cilësinë dhe sigurinë e tyre.
Ai gjithashtu përcakton rregulla për grumbullimin, trajtimin, riciklimin dhe asgjësimin e mbetjeve të baterive, me qëllim që të arrihet një nivel i lartë riciklimi dhe mbrojtjeje të mjedisit. Përcaktohen kuota dhe afate konkrete për grumbullimin, si dhe mënyrat e financimit dhe organizimit të fushatave ndërgjegjësuese për përdoruesit dhe bizneset.
Po ashtu, ligji kërkon që prodhuesit e baterive të regjistrohen zyrtarisht, në mënyrë që të garantohet gjurmueshmëria dhe përgjegjësia për produktet që vendosen në treg.
Kushdo që shkel këto detyrime, si për shembull duke hedhur në treg bateri pa leje dhe sipas kërkesave ligjore apo duke i ricikluar në mënyrë të gabuar, do të dënohet me gjobë nga 5 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.
E njëjta masë parashikohet edhe për ata që merren me grumbullimin dhe përpunimin e automjeteve në fund të jetës pa respektuar kriteret mjedisore. Këshilli i Ministrave do të përcaktojë standardet për trajtimin e makinave të vjetra, pjesëve të tyre dhe afatet për ripërdorim e riciklim. Kush nuk i zbaton këto rregulla, përballet me gjoba nga 5 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e ligjit ka të bëjë me gomat e përdorura. Këto nuk mund të digjen në ambiente të hapura, por duhet të riciklohen përmes grirjes dhe ripërdorimit të granulave në industri ose si lëndë djegëse shtesë në procese të kontrolluara. Kush i djeg ose i riciklon në kundërshtim me rregullat, do të gjobitet me 3 milionë lekë deri në 4 milionë lekë.
Ligji i ri përfshin edhe menaxhimin e pajisjeve elektrike e elektronike, si televizorë, kompjuterë apo frigoriferë. Prodhuesit dhe tregtarët duhet të garantojnë që këto pajisje të mund të çmontohen dhe riciklohen lehtësisht, ndërsa mbetjet e tyre të grumbullohen veçmas. Shkeljet dënohen me gjoba nga 3 milionë lekë deri në 6 milionë lekë, si për ata që i hedhin në treg pa leje, ashtu edhe për ata që i trajtojnë ose i asgjësojnë në mënyrë të paligjshme.
Me këtë kuadër të ri, qeveria kërkon të vendosë rend dhe përgjegjësi në mënyrën si trajtohen mbetjet, të ulë ndotjen dhe të inkurajojë riciklimin. Gjobat e larta synojnë të frenojnë abuzimet dhe të nxisin bizneset e qytetarët që të kujdesen më shumë për mjedisin. Ligji është pjesë e përpjekjeve për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e ekonomisë qarkulluese dhe menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve./ekofin.al
