Programi Kombëtar i Parandalimit të Mbetjeve në konsultim publik synon mënyra se si qytetarët mund të përdorin më gjatë sendet e përditshme dhe të shmangin hedhjen e tyre pa nevojë.
Në fokus janë iniciativa që nxisin riparimin, ripërdorimin, shkëmbimin dhe ndarjen e mallrave, duke synuar jo vetëm uljen e sasisë së mbetjeve, por edhe krijimin e një kulture më të qëndrueshme konsumi në komunitet.
Në këtë kuadër parashikohet ngritja e qendrave të riparimit dhe ripërdorimit, hapësira ku sendet shtëpiake mund të rregullohen, restaurohen dhe të përdoren sërish, në vend që të përfundojnë si mbetje. Këto qendra do të krijohen në forma të ndryshme, që nga ndërmarrjet bashkiake e iniciativat komunitare, deri te ndërmarrjet sociale, bizneset private apo partneritetet publike-private.
Qëllimi është të reduktohet hedhja e panevojshme e sendeve dhe të nxitet përdorimi i përgjegjshëm i tyre.
Autoritetet vendore, në bashkëpunim me AKEM, do të ndihmojnë në krijimin e këtyre qendrave në hapësira të posaçme, të lehta për t’u aksesuar nga qytetarët, madje edhe në formën e tregjeve të përkohshme. Bashkitë do të ofrojnë mbështetje logjistike dhe organizative, duke vënë në dispozicion ambiente dhe duke promovuar përfitimet e ripërdorimit, ndërsa një rol të rëndësishëm do ta kenë edhe organizatat jofitimprurëse dhe vullnetare.
Një tjetër nismë e rëndësishme është krijimi i qendrave për huazimin dhe shkëmbimin e mallrave të përdorura. Këto iniciativa synojnë të sjellin bashkë qytetarët, për t’u dhënë një jetë të dytë sendeve që janë ende në gjendje të mirë, por nuk u nevojiten më pronarëve të tyre. Në formën e eventeve apo aktiviteteve të hapura, qytetarët do të mund të sjellin sende të përdorura dhe t’i shkëmbejnë me të tjerë, duke kombinuar përfitimin ekonomik me kujdesin për mjedisin dhe edukimin mjedisor. Bashkitë do të luajnë një rol mbështetës, duke siguruar hapësira të përshtatshme dhe duke ndihmuar në organizimin dhe promovimin e këtyre aktiviteteve.
Programi synon gjithashtu të promovojë kulturën e ndarjes së produkteve, një praktikë gjithnjë e më e përhapur në ekonominë moderne, ku njerëzit zgjedhin të mos e zotërojnë domosdoshmërisht një produkt, por ta ndajnë atë me të tjerë ose ta marrin me qira kur u nevojitet. Kjo qasje ndihmon në uljen e konsumit të burimeve dhe në reduktimin e mbetjeve.
Për këtë qëllim, bashkitë do të bashkëpunojnë me organizata joqeveritare, grupe lokale dhe ndërmarrje sociale për të krijuar qendra huazimi dhe ripërdorimi, të njohura si “magazina veglash”. Në këto hapësira, qytetarët do të mund të marrin me qira për një periudhë të caktuar mjete pune si trapanë, sharra apo pajisje të tjera, pa qenë e nevojshme t’i blejnë./ekofin.al
