Një ligj i posaçëm për disenjot synon të forcojë mbrojtjen e krijimtarisë industriale, të mbyllë boshllëqet ligjore dhe të harmonizojë sistemin shqiptar me reformën e re evropiane.
Projektligji i ri “Për disenjot”, i hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), synon të nxjerrë këtë fushë nga kuadri i përgjithshëm i ligjit “Për pronësinë industriale” dhe t’i japë një rregullim të posaçëm, më të detajuar dhe më të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian.
Pas më shumë se 15 vitesh nga miratimi i ligjit nr. 9947, ku disenjot trajtohen bashkë me patentat, markat tregtare, modelet e përdorimit, treguesit gjeografikë dhe objektet e tjera të pronësisë industriale, qeveria synon të krijojë një sistem të veçantë për një fushë që po merr gjithnjë e më shumë peshë në ekonomi, tregti dhe konkurrencë.
Projektligji prek pothuajse të gjithë ciklin e jetës së një disenjoje: nga krijimi dhe regjistrimi, te transferimi, licencimi, mbrojtja ndërkombëtare, shkeljet, pavlefshmëria dhe masat ndaj produkteve që cenojnë të drejtat e pronarit.
Sipas relacionit, përfshirja e shumë objekteve të pronësisë industriale në një ligj të vetëm ka krijuar vështirësi teknike dhe logjistike në zbatimin e përditshëm. Për më tepër, ndryshimet e vazhdueshme të legjislacionit evropian kanë bërë që kuadri ekzistues për disenjot të mos jetë më i mjaftueshëm.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria po kalon drejt një modeli me ligje të veçanta për objektet kryesore të pronësisë industriale.
Projektligji i ri bazohet kryesisht në reformën evropiane të vitit 2024 për disenjot dhe synon përafrimin me Direktivën (BE) 2024/2823, Rregulloren (BE) 2024/2822, që ndryshon regjimin evropian të disenjove, si dhe me Direktivën 2004/48/KE për zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale. Drafti është konsultuar me WIPO-n, EUIPO-n dhe Komisionin Evropian.
Mbrojtje më e fortë për krijuesin dhe biznesin
Në qendër të reformës është forcimi i të drejtës ekskluzive mbi disenjon.
Projektligji përcakton më qartë se cilat produkte mund të mbrohen dhe vendos si kushte themelore, risinë dhe karakterin individual, të disenjos. Regjistrimi mbetet mënyra përmes së cilës fitohet mbrojtja sipas sistemit shqiptar.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe disenjove të krijuara në kuadër të marrëdhënieve kontraktore apo të punës. Në rastin e një kontrate porosie, projektligji përcakton si rregull që e drejta t’i takojë porositësit, përveçse kur palët kanë rënë dakord ndryshe. Për disenjot e krijuara në marrëdhënie pune, e drejta i atribuohet punëdhënësit, në përputhje me kuadrin ekzistues.
Këto përcaktime synojnë të shmangin një prej problemeve klasike të pronësisë intelektuale: paqartësinë se kush është pronari real i një krijimi që është prodhuar për llogari të një kompanie ose gjatë marrëdhënies së punës.
Kundërshtimi kalon te gjykata
Një ndryshim i rëndësishëm lidhet me shkaqet relative të refuzimit.
Kur një disenjo e re bie ndesh me të drejtat e një disenjoje të regjistruar më parë, pretendimi për cenim të këtyre të drejtave do të trajtohet në gjykatë. Projektligji parashikon që procedura e kundërshtimit të zhvillohet tashmë vetëm në gjykatën administrative. Kjo e zhvendos konfliktin për të drejtat e mëparshme nga procedura administrative drejt një mekanizmi gjyqësor.
Ndërkohë, DPPI ruan rolin qendror në ekzaminimin formal dhe material të aplikimit, përfshirë verifikimin e shkaqeve absolute të refuzimit dhe funksionimin e Bordit të Apelit.
Kopjimi dhe mallrat cenuese, në shënjestër
Një prej pjesëve më të forta të projektligjit është ajo që lidhet me zbatimin e të drejtave.
Pronari i një disenjoje të regjistruar do të ketë të drejtë të kërkojë ndalimin e një sërë veprimesh të paautorizuara, përfshirë importin, eksportin, kopjimin dhe hedhjen në treg, të produkteve që cenojnë të drejtën e tij.
Në rast shkeljeje, projektligji parashikon masa që mund të shkojnë nga ndalimi i produkteve deri te largimi ose bllokimi i tyre nga qarkullimi civil.
Masa mund të shtrihen edhe te materialet, pajisjet dhe mjetet e përdorura për krijimin apo prodhimin e produkteve cenuese.
Kjo pjesë merr një rëndësi të veçantë në një treg ku produktet e kopjuara mund të përfitojnë nga reputacioni i krijuar nga një markë apo produkt origjinal, duke dëmtuar njëkohësisht biznesin, konkurrencën dhe konsumatorin.
“Repair clause”, një risi me rëndësi për tregun
Projektligji sjell në legjislacionin shqiptar edhe të ashtuquajturën “repair clause”, një mekanizëm i lidhur me përdorimin e pjesëve të produkteve komplekse për qëllime riparimi.
Kjo dispozitë lidhet me reformën e re evropiane dhe synon të vendosë një ekuilibër mes mbrojtjes së disenjos dhe nevojës për të riparuar produkte, veçanërisht në tregjet ku pjesët zëvendësuese mund të jenë subjekt konfliktesh pronësie intelektuale.
Projektligji trajton gjithashtu shterimin e të drejtave, duke parashikuar edhe shterimin evropian. Në këtë mënyrë, kur një produkt ku është përfshirë një disenjo e mbrojtur është hedhur ligjërisht në tregun e BE-së nga vetë mbajtësi i të drejtës ose me pëlqimin e tij, të drejtat nuk mund të përdoren automatikisht për të penguar veprimet e mëtejshme mbi atë produkt.
Jo vetëm disenjo: mbrojtje edhe për konsumatorin
Në relacionin e projektligjit pranohet se tregu shqiptar po përballet gjithnjë e më shumë me konflikte mes të drejtave të regjistruara dhe përpjekjeve për përdorimin e paautorizuar të tyre.
Problemi nuk kufizohet te dëmi financiar i pronarit të disenjos. Kopjimi dhe qarkullimi i produkteve cenuese mund të deformojë konkurrencën dhe të krijojë konfuzion apo dëme për konsumatorët.
Për këtë arsye, projektligji nuk fokusohet vetëm te marrëdhënia mes pronarit dhe shkelësit, por vendos një mekanizëm më të gjerë mbrojtjeje që përfshin edhe doganat dhe autoritetin përgjegjës për mbikëqyrjen e tregut të brendshëm.
Ky autoritet mund të vihet në lëvizje me kërkesë të mbajtësit të së drejtës, por edhe ex officio, kur ekziston rreziku i cenimit të të drejtave.
Nga transferimi te licencimi dhe garancitë
Disenjoja trajtohet nga projektligji si një aset ekonomik që mund të qarkullojë dhe të përdoret në marrëdhënie tregtare.
Për këtë arsye, drafti përcakton rregullat për transferimin, licencimin ekskluziv dhe joekskluziv, si dhe regjistrimin e të drejtave dhe kufizimeve mbi disenjon.
Edhe paaftësia paguese përfshihet në sistem, duke parashikuar regjistrimin e saj në regjistrin e disenjove mbi bazën e njoftimit të autoriteteve kompetente ose me kërkesë të administratorit të procedurës.
Kjo e vendos disenjon më qartë në kategorinë e aktiveve që mund të kenë vlerë ekonomike, të transferohen, të licencohen apo të përdoren si garanci.
Pa kosto të reja dhe pa rritje tarifash
Një element që mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm për subjektet ekonomike është se projektligji nuk parashikon ndryshime në tarifat e shërbimeve.
Sipas relacionit, zbatimi i tij nuk kërkon kosto shtesë për DPPI-në, as shtim të stafit. Kostoja buxhetore pritet të mbetet në nivelin e kuadrit aktual.
Pra, reforma synon të jetë kryesisht një reformë ligjore dhe institucionale, jo një reformë që shton barrën financiare për administratën apo aplikantët.
Projektligji është hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe DPPI, me asistencën e projektit SANECA II, të zbatuar nga GIZ me financim të qeverisë gjermane. /ekofin.al
