Administrata Tatimore dhe Administrata Doganore kanë intensifikuar kontrollet në tregun e karburanteve, duke shtrirë aksionin nga Elbasani drejt juglindjes së vendit, konkretisht në Korçë dhe Pogradec.
Aksioni zhvillohet në kuadër të planit operacional për monitorimin e tregut të produkteve energjetike, me synim rritjen e kontrollit mbi aktivitetin e subjekteve dhe garantimin e zbatimit të legjislacionit fiskal.
Gjatë verifikimeve në terren, autoritetet konstatuan një sërë shkeljesh të rënda, që lidhen drejtpërdrejt me evazionin dhe informalitetin në sektor. Sipas gjetjeve, në disa raste u evidentua moslëshim i faturës tatimore, mosinstalim i sistemit të fiskalizimit, si dhe tregtim i mallrave pa faturë tatimore. Po ashtu, u konstatuan probleme me administrimin e dokumentacionit jotatimor, mosmbajtje të dokumentacionit tatimor dhe mosafishim të listës së çmimeve për konsumatorët.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet në vend kanë konfirmuar edhe gjetjet e monitorimit në distancë, duke ngritur dyshime të forta për shmangie të detyrimeve tatimore dhe doganore nga ana e subjekteve të kontrolluara. Në këtë kuadër, dokumentacioni i gjetur është sekuestruar për vijimin e hetimeve dhe për referimin e rasteve në organet e drejtësisë.
Aksioni konsiderohet pjesë e një strategjie më të gjerë për formalizimin e sektorit të hidrokarbureve, një nga tregjet më të ndjeshme për shkak të ndikimit që ka në çmimet dhe në ekonominë e përgjithshme. Institucionet theksojnë se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin, me fokus garantimin e zbatimit të ligjit, parandalimin e abuzimeve me çmimet e karburanteve dhe rritjen e transparencës në treg. /ekofin.al
