Hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare udhëzimi i ri i Ministrisë së Brendshme që përcakton procedurat për lëshimin, refuzimin, ripërtëritjen dhe anulimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj në Shqipëri. Udhëzimi rregullon të gjithë procesin, nga aplikimi online deri te pajisja me kartën biometrike ose refuzimi i kërkesës.
Procedura nis me regjistrimin e aplikimit në sistemin FER-TIMS nga strukturat e migracionit, ku verifikohen të dhënat personale të aplikantit dhe krahasohen me informacionet në e-Albania dhe sistemin TIMS. Në rast mospërputhjesh, autoritetet bëjnë korrigjimet përkatëse. Pas regjistrimit të saktë të aplikimit, dokumentet arkivohen elektronikisht dhe brenda 1 dite pune aplikanti pajiset në mënyrë elektronike me lejen provizore të qëndrimit.
Udhëzimi parashikon që kërkesat mund të refuzohen që në fazën paraprake nëse nuk plotësojnë kriteret ligjore. Vendimi për miratimin ose refuzimin merret nga autoritetet qendrore për kufirin dhe migracionin, ndërsa strukturat vendore bëjnë regjistrimin dhe autorizimin përfundimtar në sistem.
Në rast miratimi, i huaji njoftohet online dhe më pas duhet të regjistrojë adresën e banimit në gjendjen civile dhe të kryejë pagesën për kartën biometrike. Aplikimi për dokumentin biometrik bëhet pranë zyrave të migracionit dhe më pas dokumenti prodhohet dhe shpërndahet.
Për ripërtëritjen e lejeve ekzistuese ndiqet e njëjta procedurë si për aplikimet e para. Për disa kategori të huajsh me leje qëndrimi të tipit A, sistemi njofton automatikisht edhe e-Visa dhe Shërbimin Kombëtar të Punësimit.
Udhëzimi përcakton edhe rastet e refuzimit ose anulimit të lejeve. Nëse konstatohet se aplikanti nuk plotëson kushtet ligjore, autoritetet marrin vendim për refuzim dhe e regjistrojnë atë në Regjistrin Kombëtar Elektronik për të Huajt. Leja mund të anulohet edhe pasi është lëshuar, nëse rezulton e pavlefshme ose janë shkelur kushtet ligjore.
Dokumenti parashikon gjithashtu procedura të veçanta për “lejen unike” të disa kategorive të shtetasve të huaj, ku përfshihet edhe shqyrtimi nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Komisioni i Ankesave.
Sa i përket vlefshmërisë, për lejet e para afati nis nga data e pajisjes me lejen provizore, ndërsa për ripërtëritjet nis menjëherë pas skadimit të lejes ekzistuese. Lejet e përhershme të qëndrimit të tipit C do të kenë afat 10-vjeçar.
Udhëzimi i ri synon të unifikojë procedurat për trajtimin e shtetasve të huaj dhe të rrisë përdorimin e shërbimeve elektronike dhe komunikimit online me aplikantët./ekofin.al
