Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimin e Bazës së të Dhënave Shtetërore të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL), duke vendosur për herë të parë një infrastrukturë të centralizuar shtetërore për administrimin e plotë të të dhënave akademike, me theks të veçantë në titujt shkencorë, programet doktorale dhe njohjen e kualifikimeve akademike brenda dhe jashtë vendit.
Një sistem kombëtar për gradat dhe titujt shkencorë
Regjistri shtetëror i integruar do të dokumentojë të gjithë ciklin e titujve dhe gradave shkencore, që nga programet e studimit doktoral deri te njohja e titujve akademikë të fituar jashtë Shqipërisë. Sistemi synon të garantojë gjurmueshmëri, transparencë dhe standardizim të proceseve që lidhen me gradën shkencore “Doktor” dhe me titujt akademikë të lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë.
Administrimi i kësaj baze të dhënash i është besuar Qendrës së Shërbimeve Arsimore, e cila do të ketë përgjegjësinë për mbledhjen, përpunimin dhe mirëmbajtjen e të dhënave, si dhe për garantimin e përputhshmërisë me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Çfarë regjistrohet për titujt shkencorë në SMIAL
Sipas vendimit, në kategorinë e të dhënave parësore përfshihen informacionet që lidhen drejtpërdrejt me udhëheqjet shkencore në programet e studimit për fitimin e gradës shkencore “Doktor”, duke krijuar një bazë të qartë dhe të verifikueshme për marrëdhënien ndërmjet doktorantit, udhëheqësit shkencor dhe institucionit përkatës. Po ashtu, regjistrohen të dhënat për programet e studimit doktoral, profilet e tyre dhe kapacitetet akademike të certifikuara për ofrimin e këtyre programeve.
Një element kyç i sistemit është regjistrimi dhe administrimi i njohjes së titujve akademikë të lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë të huaj, si dhe njohja dhe njësimi i diplomave dhe certifikatave të huaja. Këto procese, që deri më tani janë trajtuar në mënyrë të fragmentuar, përfshihen tashmë në një bazë të vetme shtetërore, duke reduktuar hapësirat për paqartësi apo mospërputhje institucionale.
SMIAL përfshin gjithashtu regjistrimin e formave të diplomave dhe certifikatave, pajisjen e institucioneve të arsimit të lartë me regjistra themeltarë të arritjeve akademike dhe të lëshimit të diplomave, si dhe të gjitha aktet që lidhen me hapjen, riorganizimin dhe akreditimin fillestar dhe periodik të institucioneve dhe programeve të studimit, përfshirë ato të nivelit doktoral.
Roli i institucioneve në garantimin e cilësisë akademike
Vendimi përcakton rolet për institucionet kryesore që ndërhyjnë në fushën e titujve shkencorë. Ministria përgjegjëse për arsimin do të ketë rol lexues dhe konfirmues për udhëheqjet shkencore në programet doktorale, si dhe për certifikimin e kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore që justifikojnë ofrimin e këtyre programeve.
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë do të ketë akses në të dhënat e akreditimit fillestar dhe periodik të institucioneve dhe programeve të studimit, duke përfshirë drejtpërdrejt programet që çojnë në fitimin e gradës “Doktor”. Ndërkohë, institucionet e arsimit të lartë do të jenë krijues dhe përditësues të të dhënave që lidhen me doktorantët, udhëheqjet shkencore, regjistrimin, përparimin dhe përfundimin e studimeve doktorale.
Qendra e Shërbimeve Arsimore, si administruese e sistemit, do të ketë rol qendror në konfirmimin e këtyre të dhënave, duke krijuar një zinxhir institucional kontrolli dhe verifikimi për çdo titull shkencor të lëshuar ose të njohur./ekofin.al
