Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme tregojnë se në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar gjatë vitit 2024 janë goditur pjesërisht gjithsej 40 grupe kriminale, 9 grupe ose 18% më pak se në vitin 2023.
Sipas raportit, pjesa më e madhe e grupeve kriminale është me aktivitet në fushën e narkotikëve. Janë evidentuar gjithsej 47 vepra penale dhe janë zbuluar 83% e tyre për goditjen e grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale. Në krahasim me vitin e kaluar janë evidentuar 36 vepra penale më shumë.
Në kuadër të kësaj veprimtarie, gjatë vitit 2024 vlera e aseteve të sekuestruara për veprën penale të pastrimit të parave ka qenë 27,636,788 Euro dhe vlera e aseteve të konfiskuara sipas ligjit antimafia ka qenë 4,093,091 Euro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

Kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike mbetet ende shqetësim për sigurinë. Gjatë vitit 2024 janë evidentuar 2,579 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 2,542 ose 98.6% e tyre, janë proceduar penalisht 3,642 persona, nga të cilët 1,212 janë arrestuar/ndaluar, pra 33.3% prej tyre, 2,277 janë ndjekur ne gjendje të lirë ose 62.5% dhe 153 janë shpallur në kërkim ose 4.2%. Janë evidentuar 783 vepra penale për kultivimin e bimëve narkotike, nga të cilat janë zbuluar 210, ose 141 raste më shumë se në vitin 2023. Bimë narkotike të kultivuara dhe të asgjësuara në vitin 2024, gjithsej 262,409 ose 10.5 % më pak se me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sa i përket korrupsionit, gjatë vitit 2024 janë evidentuar gjithsej 744 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 677 ose 91 % e tyre. Në krahasim me vitin e kaluar rezultojnë 185 vepra më pak ose shprehur ndryshe është shënuar rënie me 20% e veprave penale në fushën e korrupsionit./ekofin.al
