Fitimet e kompanisë ajrore low-cost Ryanair u rritën me 40%, duke arritur në një rekord prej 2.26 miliardë eurosh, pavarësisht vonesave në furnizimet nga Boeing dhe krizës së çmimeve të karburantit, të shkaktuar nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Kompania raportoi se kërkesa e lartë për udhëtime dhe rritja e tarifave ajrore ndihmuan në kompensimin e kostove më të larta operative. Numri i pasagjerëve arriti në 208 milionë gjatë vitit fiskal 2026, duke e konsoliduar Ryanair si linjën ajrore më të madhe në Europë për nga numri i udhëtarëve.
Megjithatë, kompania paralajmëroi se pasiguria ekonomike dhe rritja e çmimeve të naftës po ndikojnë tek rezervimet për sezonin veror. Drejtuesi ekzekutiv, Michael O’Leary, deklaroi se çmimet e biletave pritet të mbeten të ulëta ose të pandryshuara gjatë muajve të ardhshëm, pasi konsumatorët po tregohen më të kujdesshëm për shpenzimet.
Një nga sfidat kryesore për kompaninë mbeten vonesat në dorëzimin e avionëve nga Boeing, të cilat kanë kufizuar ritmin e zgjerimit të flotës. Pavarësisht kësaj, kompania pret që trafiku i pasagjerëve të rritet me rreth 4% gjatë vitit të ardhshëm fiskal, duke arritur në 216 milionë udhëtarë.
Përballë rritjes së fortë të çmimeve të karburantit, Ryanair deklaroi se ka siguruar paraprakisht 80% të nevojave të saj për karburant me një çmim prej 67 dollarësh për fuçi, shumë më poshtë se niveli aktual i tregut. Kjo strategji i ka dhënë kompanisë një avantazh të rëndësishëm ndaj rivalëve më të ekspozuar ndaj krizës energjetike.
Sipas drejtuesve të kompanisë, lufta dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë krijuar presion të fortë mbi industrinë globale të aviacionit, ndërsa disa linja ajrore më të dobëta financiarisht mund të përballen me falimentim gjatë muajve të ardhshëm. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
