Në Itali, nga 1 janari 2026 hyn në fuqi arma e re kundër evazionit fiskal: arka (regjistruesi fiskal) duhet të lidhet me POS-in dhe me mjetet e tjera të pagesave elektronike. Masën e parashikon Ligji i Buxhetit për vitin 2026, me synimin për të kryqëzuar në kohë reale të ardhurat e regjistruara dhe pagesat e kryera me karta e bankomate, duke ulur rrezikun e moslëshimit të kuponit tatimor.
Udhëzimet operative të Agjencisë së të Ardhurave janë dhënë përmes një vendimi të firmosur nga drejtori, i cili përcakton mënyrat me të cilat tregtarët duhet të kryejnë lidhjen midis regjistruesit telematik dhe terminalit të pagesës.
Pa lidhje fizike: gjithçka përmes portalit
Zgjidhja e miratuar, e rënë dakord me shoqatat e tregtarëve, nuk kërkon kabllo apo pajisje shtesë. Lidhja do të kryhet përmes një shërbimi digjital të disponueshëm në zonën e rezervuar të faqes së Agjencisë. Tregtari – edhe nëpërmjet një ndërmjetësi – duhet të asocojë numrin serial të regjistruesit telematik me të dhënat identifikuese të POS-it, të cilat tashmë komunikohen nga operatorët financiarë. Për ata që përdorin procedurën online të Agjencisë në vend të regjistruesit telematik, lidhja mund të përfundohet drejtpërdrejt në internet, pa pasur nevojë për mjete shtesë.
Kalendar dhe afate përshtatjeje
Funksionet e reja do të jenë operative nga ditët e para të marsit 2026, me datën zyrtare që do të njoftohet në portalin e Agjencisë. Për pajisjet në përdorim më 1 janar 2026, ose për ato të aktivizuara brenda muajit janar, tregtarët do të kenë 45 ditë për të përfunduar regjistrimin. Më pas, çdo POS i ri ose ndryshim duhet të komunikohet brenda ditës së fundit të punës të muajit pasardhës pas aktivizimit të mjetit.
Tregtarët mes përshtatjeve dhe shqetësimeve
Kategoria e ndjek me kujdes këtë risi. Nga njëra anë, adoptimi i sistemit digjital shmang kostot teknike shtesë; nga ana tjetër, mbeten shqetësimet për një detyrim burokratik tjetër. “Le të jetë një masë e thjeshtë për t’u menaxhuar”, përsërisin shoqatat, të cilat kanë bashkëpunuar në përcaktimin e procedurës./Përshtati nga Corriere della Sera, ekofin.al
