Teksa tregjet ndërkombëtare po reflektojnë ulje të çmimeve të naftës, në Shqipëri karburantet janë shtrenjtuar sërish. Bordi i Transparencës vendosi këtë të hënë rritjen me 3 lekë për litër të çmimit të gazoilit, duke e çuar atë në 205 lekë/litër në tregun me pakicë.
Vendimi hyn në fuqi nga ora 17:00 e datës 19 maj dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.
Sipas tabelës së re:
gazoili do të tregtohet maksimalisht me 205 lekë/litër në pakicë dhe 193 lekë/litër në shumicë;
benzina do të mbetet në 189 lekë/litër në pakicë dhe 177 lekë/litër në shumicë.
Rritja vjen në një moment kur në bursat ndërkombëtare çmimet e naftës kanë reflektuar luhatje në rënie, të ndikuara nga pritshmëritë për ngadalësim të kërkesës globale dhe shtim të prodhimit nga vendet eksportuese.
Pavarësisht kësaj, në Shqipëri çmimi i naftës vijon të lëvizë në kahun rritës, ndërsa Bordi argumenton se çmimet përcaktohen mbi bazën e metodologjisë së përllogaritjes së tregut dhe kostove të importit.
Autoritetet paralajmëruan operatorët e tregut se zbatimi i çmimeve është i detyrueshëm dhe çdo shkelje do të shoqërohet me masa deri në pezullim aktiviteti.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se çmimet aktuale mbeten ende nën kufirin e përcaktuar nga Akti Normativ i muajit prill, i cili parashikon ulje të akcizës vetëm në rast se nafta kalon 220 lekë/litër dhe benzina 200 lekë/litër.
Për rrjedhojë, akciza mbi karburantet do të vazhdojë të aplikohet në nivelin e plotë 100%.
