Hyjnë në fuqi ndryshimet në udhëzimin e ministrit të Financave ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të cilat pritet të forcojnë ndjeshëm mekanizmat e kontrollit në transaksionet ndërkufitare dhe eksportet e mallrave nga Shqipëria.
Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me detyrimin e ri për të përfshirë numrin personal të identifikimit (ID) të blerësit të huaj në faturat e eksportit, në rastet kur marrësi i mallrave është individ dhe jo biznes. Kjo do të thotë se, për çdo eksport të mallrave jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe për blerje online të porositura nga shtetas të huaj tatimpaguesi shqiptar duhet të deklarojë emrin e plotë, ID-në dhe adresën e saktë të destinacionit të mallrave.
Me këtë ndryshim synohet rritja e transparencës dhe gjurmueshmërisë së transaksioneve ndërkombëtare, duke përfshirë më shumë të dhëna në sistemin e monitorimit të qarkullimit. Deri më tani, faturat e eksportit për individë kërkonin vetëm emrin dhe adresën e blerësit, pa asnjë identifikim personal.
Ky hap konsiderohet një instrument i ri kontrolli fiskal, që mund të ndihmojë autoritetet tatimore në evidentimin më të plotë të eksportuesve dhe të flukseve reale të mallrave që dalin nga vendi, veçanërisht në rastet e blerjeve të vogla apo online.
Ndryshimi përfshin edhe disa harmonizime terminologjike me legjislacionin e ri tatimor, duke zëvendësuar referencat ndaj “tatimit mbi fitimin” me termin “tatim mbi të ardhurat e korporatës”, si dhe “tatim i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël” me “tatim mbi të ardhurat personale të biznesit”.
Gjithashtu, saktësohet edhe afati për shqyrtimin e librave të shitjeve dhe blerjeve, nga dita e dhjetë në ditën e njëmbëdhjetë të muajit pasardhës, duke shmangur çdo keqkuptim të bizneseve për tejkalim afati.
Aktualisht neni parashikon se çdo tatimpagues, që lëshon faturë, duhet të shqyrtojë të dhënat në librin e shitjeve dhe librin e blerjeve, deri në ditën e dhjetë të muajit, për faturat e lëshuara e të pranuara, që i përkasin muajit paraardhës, dhe, nëse është e nevojshme, t’i plotësojë ato me informacion shtesë. Pas përfundimit të kësaj procedure duhet të konfirmojë saktësinë e të dhënave.
Po kështu, sipas udhëzimit zgjatet edhe afati për procedurën e fiskalizimit. Tashmë, tatimpaguesi (importuesi) duhet të kryejë procedurën e fiskalizimit, sipas këtij neni, pas vendosjes së mallrave nën procedurën e qarkullimit të lirë nga Autoriteti Doganor, por jo më vonë se 7 ditë (nga 3 ditë që ishte më parë) pas vendosjes së mallrave nën këtë procedure. /ekofin.al
