Mënyra e tarifimit për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar pritet të ndryshojë tërësisht, duke futur sistemin e vinjetave elektronike për automjetet e lehta dhe autobusët, ndërsa për mjetet e rënda të mallrave parashikohet një sistem tarifimi sipas distancës së përshkuar. Nisma ligjore është depozituar në Kuvend nga deputeti i Partisë Socialiste, Andi Qose, dhe synon të krijojë një mekanizëm të ri financimi për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore.
Projektligji propozon ndryshimin e ligjit nr. 8308, datë 18 mars 1998, “Për transportet rrugore”, duke shtuar një kre të posaçëm për vinjetat dhe tarifat e përdorimit të rrjetit rrugor kombëtar.
Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian dhe kalimin drejt një modeli ku përdoruesit kontribuojnë financiarisht për infrastrukturën rrugore, në përputhje me kategorinë e automjetit, kohëzgjatjen e përdorimit dhe ndikimin në mjedis.
Nga taksa vjetore e qarkullimit te pagesa për përdorimin e rrugëve
Një nga ndryshimet kryesore të propozuara lidhet me mënyrën e financimit të infrastrukturës rrugore.
Aktualisht, përdorimi i rrjetit rrugor kombëtar financohet kryesisht përmes taksës së qarkullimit të përfshirë në çmimin e karburanteve, taksës vjetore të mjeteve të përdorura dhe tarifave të vendosura në segmente të caktuara rrugore.
Në relacion theksohet se taksa e qarkullimit, e cila përfshihet në çmimin e karburantit në masën 26 lekë për litër, pa përfshirë TVSH-në, nuk krijon një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet pagesës së përdoruesit dhe përdorimit konkret të rrugëve.
Projektligji propozon një model të ri, ku automjetet do të pajisen me vinjeta për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar, ndërsa automjetet e rënda të mallrave do të tarifohen sipas kilometrave të përshkuar.
Në relacion parashikohet që nga 1 janari 2027 të hiqet taksa e qarkullimit, ndërsa efekti buxhetor të kompensohet kryesisht përmes rishikimit të taksës vjetore të mjeteve të përdorura.
Megjithatë, vetë projektligji e lë datën e fillimit të detyrimit për pagesën e vinjetës në kompetencë të Këshillit të Ministrave. Për rrjedhojë, fillimi konkret i zbatimit do të varet nga miratimi i ligjit dhe akteve nënligjore.
Vinjeta me afate nga një ditë deri në një vit
Për automjetet e lehta dhe autobusët, projektligji parashikon përdorimin e vinjetave me afate të ndryshme vlefshmërie.
Për automjetet e lehta përcaktohen këto periudha: 1 ditë; 10 ditë; 1 muaj; 2 muaj dhe 1 vit.
Projektligji vendos edhe kufizime për raportin ndërmjet tarifave afatshkurtra dhe tarifës vjetore.
Konkretisht, vinjeta njëditore nuk mund të kushtojë më shumë se 9% e tarifës vjetore, vinjeta 10-ditore jo më shumë se 11%, vinjeta mujore jo më shumë se 19%, ndërsa vinjeta dymujore jo më shumë se 30% e tarifës vjetore. Për autobusët parashikohen të paktën vinjeta njëditore, javore, mujore dhe vjetore.
Tarifat do të diferencohen edhe sipas kategorisë së automjetit dhe klasës së emetimeve ndotëse.
Projektligji parashikon trajtim të diferencuar për automjetet me emetime zero, përfshirë automjetet elektrike dhe ato me hidrogjen, si dhe për automjetet me emetime të ulëta. Vlerat konkrete në lekë të vinjetave nuk përcaktohen në projektligj. Ato do të miratohen më pas me vendim të Këshillit të Ministrave.
Automjetet e rënda, tarifim sipas kilometrave të përshkuar
Për automjetet e transportit të mallrave me peshë totale të lejuar mbi 3.5 tonë, projektligji parashikon një regjim të veçantë. Deri më 31 dhjetor 2029, këto automjete mund të përdorin vinjeta për periudha të caktuara kohore. Pas kësaj date, sistemi synon të kalojë drejt tarifimit sipas distancës së përshkuar, duke marrë në konsideratë edhe numrin e akseve, peshën e automjetit dhe klasën e emetimeve.
Përjashtimisht, vinjetat mund të vijojnë të përdoren edhe pas këtij afati në kushtet e parashikuara nga legjislacioni europian. Në këtë mënyrë, transportuesit e mallrave do të përballen me një sistem ku pagesa lidhet më drejtpërdrejt me përdorimin e infrastrukturës.
Vinjetat do të jenë elektronike dhe fizike
Nisma parashikon gjithashtu edhe krijimin e një sistemi elektronik për regjistrimin, emetimin dhe kontrollin e vinjetave. Sipas projektligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) do të jetë institucioni përgjegjës për emetimin e vinjetave dhe administrimin e sistemit elektronik.
Vinjetat do të ofrohen në dy forma: elektronike dhe fizike. Vinjeta elektronike do të regjistrohet në sistemin elektronik të tarifimit, duke mundësuar verifikimin automatik të vlefshmërisë së saj. Ndërkohë, vinjeta fizike do të jetë një dokument i sigurisë, që do të vendoset në automjet sipas rregullave që do të miratohen.
Shpërndarja dhe shitja e vinjetave do të realizohet përmes shoqërisë shtetërore Enti Kombëtar i Operimit Rrugor (EKOR sh.a.), në pika fizike dhe përmes kanaleve elektronike.
Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë e pagesës në pikat e kalimit kufitar. Automjetet me targa të huaja do të paguajnë për përdorimin e rrugëve Nisma parashikon përfshirjen në sistemin e vinjetave edhe të automjeteve të regjistruara jashtë Shqipërisë.
Sipas projektligjit, automjetet me targa të huaja që përdorin rrjetin rrugor kombëtar do të pajisen me vinjetë, sipas kategorisë dhe periudhës së përdorimit.Për këto mjete, pagesa do të kryhet përmes sistemit të vinjetave dhe jo përmes taksës vjetore të mjeteve të përdorura që zbatohet për automjetet e regjistruara në Shqipëri.
Kjo do të thotë se edhe automjetet e turistëve apo vizitorëve të huaj do t’i nënshtrohen detyrimit për vinjetë, kur përdorin rrugët e përfshira në skemën e tarifimit.
Gjobat për përdorimin e rrugëve pa vinjetë
Projektligji përcakton edhe masa administrative për drejtuesit që përdorin rrjetin rrugor pa vinjetë të vlefshme. Sipas dispozitave të propozuara, përdorimi i rrjetit rrugor pa vinjetë të vlefshme dënohet me gjobë në masën e tarifës së vinjetës mujore ose tridhjetëditore për kategorinë përkatëse të mjetit.
Ndërkohë, për shkelje të tjera të detyrimeve të parashikuara në dispozitat e reja, projektligji përcakton gjoba nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë. Kontrolli i vinjetave do të kryhet nga organet e specializuara të kontrollit të transportit, ndërsa Policia e Shtetit do të përdorë edhe sistemet automatike për verifikimin e vlefshmërisë.
Përjashtimet nga pagesa
Projektligji parashikon edhe kategori automjetesh që mund të përjashtohen nga detyrimi për vinjetë ose të përfitojnë tarifa të reduktuara. Përjashtimet dhe reduktimet do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke marrë në konsideratë kategorinë e mjetit, qëllimin e përdorimit dhe kriteret mjedisore.
Në relacion përmenden edhe praktikat e vendeve të Bashkimit Europian për trajtimin e diferencuar të mjeteve me emetime zero ose të ulëta.
Kush do t’i administrojë të ardhurat?
Projektligji parashikon ndarjen e përgjegjësive ndërmjet institucioneve që do të administrojnë sistemin e ri.DPSHTRR do të jetë përgjegjëse për emetimin dhe administrimin elektronik të vinjetave, ndërsa EKOR sh.a. për shpërndarjen, shitjen dhe mbledhjen e të ardhurave.
Të ardhurat nga vinjetat, pas zbritjes së tarifës së agjentit dhe sipas marrëveshjeve të parashikuara, do të derdhen në Buxhetin e Shtetit. Për rrugët me koncesion, tarifimi do të zbatohet sipas kontratave përkatëse dhe legjislacionit për koncesionet dhe partneritetin publik-privat.
Projektligji parashikon mekanizma për shmangien e pagesës së dyfishtë, por rregullimi konkret do të varet nga segmentet rrugore dhe marrëveshjet përkatëse. /ekofin.al
