Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që ndryshon Rregulloren për licencimin profesional të subjekteve që ushtrojnë aktivitet ndërtimi në Shqipëri. Ndryshimet thelbësore përcaktojnë kriteret, procedurat dhe sanksionet që lidhen me licencimin, klasifikimin dhe disiplinimin e këtyre subjekteve.
Komisioni i Posaçëm për Dhënien e Licencave Profesionale do të ketë një përbërje të re. Ndryshe nga vendimi i mëparshëm, i ndryshuar vetëm në maj të vitit 2024, përbërja e re, e cila nuk ndryshon në numër anëtarësh, përcakton një kryetar nga Kryeministria, dy përfaqësues nga ministria përgjegjëse për ndërtimin, nga 1 që ishte më përpara, një përfaqësues nga ministria për infrastrukturën, nga 2 që ishte në vendimin e mëparshëm, si dhe një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për energjinë.
Rregullat e reja për drejtuesit teknikë
Përkundrejt përcaktimit të vjetër ku drejtuesit teknikë nuk mund të jenë personat që janë të angazhuar në çdo punëmarrje tjetër publike, regullorja e re lejon drejtuesit teknikë të angazhohen në punë të tjera të pjesshme vetëm nëse nuk cenojnë detyrën primare dhe nuk përfshihen në konflikt interesi.
Vendimi përcakton ndalimin që një person të jetë njëkohësisht drejtues teknik në më shumë se një kompani ndërtimi ose të ketë licenca të tjera aktive për mbikëqyrje e kolaudim të punimeve.
Në rast se drejtuesi teknik zotëron një licencë për mbikëqyrje apo kolaudim, kjo licencë pezullohet automatikisht në momentin që ai emërohet si drejtues teknik i një shoqërie ndërtuese. Licenca mund të rikthehet vetëm pas largimit nga pozicioni.
Më konkretisht: “Kur personat që pranojnë të kryejnë detyrën e drejtuesit teknik të shoqërisë për zbatim, disponojnë licencë profesionale mbikëqyrjeje e kolaudim punimesh zbatimi, ata kanë detyrimin për evidentimin e këtij fakti në dokumentacionin e paraqitur për aplikim, si dhe licenca individuale në fushën e mbikëqyrjes dhe kolaudimit të punimeve të zbatimit pezullohet përpara ose në çastin kur shoqëria në fjalë merr licencën.”
Gjithashtu, për licencat profesionale për mbikëqyrje e kolaudim punimesh zbatimi hiqet pezullimi sapo personi shkëput marrëdhëniet si drejtues teknik me shoqërinë.
Vendimi përcakton se Komisioni shqyrton plotësimin e kriterit arsimor të kërkuesit për licencë, në bazë të fushës së diplomimit të përcaktuar në rregullore.
Ekuivalentimi i licencave për shoqëritë e huaja
Shoqëritë e huaja që ushtrojnë aktivitet ndërtimi në Shqipëri duhet të jenë të regjistruara si degë në QKB ose në vendin e origjinës, por në çdo rast zbatojnë legjislacionin vendas. Nëse nuk kanë degë në Shqipëri, duhet të paraqesin dokument që vërteton regjistrimin si biznes ndërtimi në vendin e origjinës (i apostiluar, përkthyer dhe noterizuar). Po ashtu, duhet të dorëzojnë edhe licencën e huaj dhe dokumente që provojnë përvojën 4-vjeçare të shoqërisë mëmë, nëse nuk përcaktohen qartë kategoritë e licencës.
Ndryshime të rëndësishme në sanksione
Edhe sanksionet kanë pësuar ndryshime. Në vend të sanksioneve të mëparshme të rënda dhe të menjëhershme, vendimi i ri parashikon një shkallëzim të masave administrative.
Së pari, vërejtje me paralajmërim për heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit kur konstatohen ose provohen deklarime të rreme, sipas parashikimeve të rregullores, dokumente të pavërteta të subjektit deklarues. Sanksioni i mëparshëm ishte heqja e licencës për 5 vjet.
Më tej rregullorja parashikon pezullim i licencës për 1 vit kur shoqëria kryen veprimtari pa drejtues teknik ose shkel afatet e njoftimit të caktuara në rregullore.
Në saksionet më të ashpra mbeten heqje e licencës për 1 vit, në rast se brenda 5 vjetëve nga marrja e masës subjektet përsërisin shkeljen për deklarime të rreme apo dokumente të pavërteta, si dhe heqja e licencës për 3 vjet, në rast se brenda 5 vjetëve nga marrja e masës, subjektet përsërisin shkeljen e ushtrimit të veprimtarisë pa drejtues teknik.
Rregullorja e re zgjat gjithashtu afatin për trajtimin e ankimimeve nga 10 ditë në 20 ditë, duke i dhënë Komisionit më shumë kohë për shqyrtimin e tyre. /ekofin.al

