Projektligji për ndryshimet në ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” sjell një sërë ndryshimesh që lidhen kryesisht me forcimin e raportimit të qëndrueshmërisë dhe zgjerimin e detyrimeve për transparencë të bizneseve, duke reflektuar përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Neni 12/1 përcakton se çdo njësi ekonomike harton pasqyra të konsoliduara financiare dhe raport të konsoliduar të veprimtarisë kur ushtron kontroll mbi njësi të tjera, qoftë përmes shumicës së të drejtave të votës, emërimit të organeve drejtuese apo ndikimit dominues të bazuar në kontratë ose statut. Detyrimi ekziston edhe kur kontrolli ushtrohet në mënyrë faktike ose kur njësitë drejtohen në mënyrë të unifikuar nga një njësi mëmë.
Për përcaktimin e kontrollit merren parasysh edhe të drejtat e votës të zotëruara përmes njësive të tjera të kontrolluara ose personave që veprojnë në emër të njësisë mëmë, ndërsa përjashtohen rastet kur këto të drejta burojnë nga aksione të mbajtura për llogari të palëve të treta apo si kolateral. Gjithashtu, përjashtohen nga llogaritja e votave aksionet e mbajtura nga vetë njësia apo strukturat e saj. Rregullat teknike për konsolidimin përcaktohen nga standardet përkatëse të raportimit financiar.
Ndryshimet në nenin 21 forcojnë kërkesat për transparencë në raportimin e pagesave që kompanitë e sektorëve nxjerrës dhe të shfrytëzimit të pyjeve u bëjnë institucioneve shtetërore, duke rritur edhe pragun e raportimit.
Konkretisht, pragu minimal për përfshirjen e pagesave në raport nuk do të jetë më 13.5 milionë lekë, por 100,000 euro, duke e përafruar me standardet ndërkombëtare dhe duke zgjeruar gamën e pagesave që duhet të raportohen. Ndërkohë, shtohet një kërkesë e re për raportim më të detajuar: kur pagesat lidhen me projekte specifike, ato duhet të raportohen sipas çdo projekti dhe sipas çdo lloji pagese, duke rritur ndjeshëm gjurmueshmërinë e fondeve.
Gjithashtu, përcaktohet se raportimi duhet të bazohet në përmbajtjen reale të pagesave dhe jo në formën e tyre, duke ndaluar ndarjen apo bashkimin artificial të pagesave me qëllim shmangien e detyrimeve ligjore.
Ndryshim i rëndësishëm vjen edhe për nënshkrimin e pasqyrave financiare, të cilat sipas parashikimit aktual nënshkruhen nga përfaqësuesi ligjor i njësisë ekonomike dhe personi përgjegjës për hartimin e pasqyrave financiare. Sipas shtesës ligjore, tashmë, personi përgjegjës për hartimin e pasqyrave financiare përgatit një deklaratë përgjegjësie, e cila publikohet së bashku me pasqyrat financiare vjetore. Forma dhe përmbajtja e saj miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për financat, me propozim të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit”.
Ndryshimet më të rëndësishme identifikohen në nenet e reja 18/1 dhe 18/2, të cilat formalizojnë raportimin e qëndrueshmërisë si një detyrim të drejtpërdrejtë për ndërmarrjet e mëdha. Kompanitë me mbi 1,000 punonjës dhe mbi 450 milionë euro të ardhura do të duhet të raportojnë ndikimet e aktivitetit të tyre në mjedis, shoqëri dhe qeverisje, si dhe rreziqet që këta faktorë paraqesin për biznesin. Raportimi do të përfshijë elementë të detajuar si strategjia e qëndrueshmërisë, objektivat për reduktimin e emetimeve, roli i organeve drejtuese dhe proceset e “due diligence” në zinxhirin e vlerës.
Në mënyrë plotësuese, neni 18/2 zgjeron detyrimin e raportimit edhe përtej kufijve të kompanisë, duke përfshirë zinxhirin e furnizimit dhe marrëdhëniet e biznesit. Megjithatë, parashikohen mekanizma mbrojtës për ndërmarrjet më të vogla në këtë zinxhir, të cilat nuk mund të detyrohen të japin informacion përtej standardeve vullnetare.
Drafti vendos detyrimin për raportim të konsoliduar të qëndrueshmërisë për kompanitë mëmë që tejkalojnë të njëjtat pragje financiare dhe të punësimit. Raportet duhet të përfshijnë analizë të ndikimeve dhe rreziqeve në nivel grupi, strategjitë për tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër dhe tregues të matshëm të performancës. Gjithashtu, raportimi duhet të mbulojë të gjithë zinxhirin e vlerës në nivel grupi, duke reflektuar një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj transparencës.
Detyrimi prek edhe njësitë shqiptare që janë pjesë e grupeve ndërkombëtare. Këto njësi duhet të publikojnë raportin e qëndrueshmërisë të hartuar nga kompania mëmë jashtë vendit, nëse plotësohen pragjet e përcaktuara të të ardhurave, duke siguruar që edhe grupet globale të jenë transparente në tregun shqiptar.
Një kapitull i ri, Kreu III/1, vendos bazat e plota për raportimin e qëndrueshmërisë dhe standardet përkatëse, duke e shndërruar këtë raportim në një element thelbësor të raportimit financiar. Ky kapitull përcakton se detyrimi për raportim aktivizohet për ndërmarrjet që tejkalojnë pragun prej 450 milionë euro të ardhura dhe 1,000 punonjës, duke vendosur një filtër të qartë për kompanitë që kanë ndikim të konsiderueshëm ekonomik dhe shoqëror.
Në të njëjtën kohë, detajohen kërkesat për përmbajtjen dhe standardet e raportimit, duke kërkuar që informacioni të jetë i krahasueshëm, i verifikueshëm dhe i mbështetur në tregues të matshëm, sidomos për çështje si emetimet e gazeve serrë, objektivat klimatikë për vitet 2030 dhe 2050 dhe ndikimet në zinxhirin e vlerës.
Nga periudha raportuese e vitit 2028 e në vijim, raportimi jofinanciar shfuqizohet dhe zëvendësohet nga raportimi i qëndrueshmërisë.
Njësitë ekonomike mund të zbatojnë raportimin e qëndrueshmërisë mbi baza vullnetare duke filluar nga periudha raportuese e vitit 2028 e në vijim./ekofin.al
