Qeveria propozon një mekanizëm të ri për legalizimin e banesave pa leje të ndërtuara plotësisht mbi tokë private në pronësi të personave të tretë, në zonat ku planet e miratuara parashikojnë ndërtime mbi 6 kate.
Ndryshimi parashikohet në nenin 6 të projektligjit për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, i cili ndryshon tërësisht nenin 29 të ligjit aktual.
Sipas formulës së re, objektet pa leje me funksion banimi, baza e të cilave ndodhet tërësisht mbi tokë private të personave të tretë, do të mund të legalizohen edhe kur trualli ku janë ndërtuar është parashikuar nga planet e territorit për zhvillim të ardhshëm me ndërtime mbi 6 kate.
Në këtë rast legalizimi nuk do të përfshijë truallin, por vetëm ndërtesën.
Projektligji përcakton se Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të vijojë procedurën administrative dhe, nëse plotësohen kriteret ligjore, do të miratojë legalizimin vetëm të objektit.
Por përfituesi duhet të pranojë paraprakisht edhe mënyrën sesi do të trajtohet në momentin kur prona të zhvillohet nga pronari i truallit apo një investitor.
Përpara legalizimit, poseduesi duhet të depozitojë pranë ASHK-së një deklaratë noteriale, përmes së cilës pranon që, në rast se parcela zhvillohet sipas dokumenteve të planifikimit të territorit, sipërfaqja që do të marrë në godinën e re të përcaktohet me marrëveshje noteriale mes tij dhe pronarit të truallit ose investitorit.
Kjo do të thotë se legalizimi i banesës nuk i jep automatikisht poseduesit të drejtën mbi truallin dhe as një sipërfaqe të paracaktuar në ndërtesën e ardhshme.
Palët do të duhet ta zgjidhin këtë marrëdhënie me marrëveshje.
Projektligji përcakton edhe çfarë ndodh kur një marrëveshje e tillë nuk arrihet.
Në mungesë të marrëveshjes noteriale me pronarin ose investitorin, poseduesi i objektit pa leje duhet të pranojë që t’i kalojë në pronësi një sipërfaqe banimi sipas normave të strehimit të përcaktuara për familjet e pastreha, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në praktikë, kjo dispozitë krijon një alternativë ndaj konfliktit të drejtpërdrejtë mes pronarit të truallit dhe personit që ka ndërtuar pa leje mbi të.
Personi që legalizon banesën do të ketë të regjistruar objektin, por jo truallin. Kur parcela të futet në zhvillim, ai do të negociojë sipërfaqen që do të marrë në objektin e ri; në mungesë të një marrëveshjeje, trajtimi i tij do të lidhet me normat ligjore të strehimit.
Deklarata noteriale është kusht thelbësor për legalizimin. Nëse poseduesi refuzon ta depozitojë, ASHK do të vendosë përjashtimin e objektit nga procedurat e legalizimit.
Gjithashtu, ASHK nuk do të vazhdojë procedurën për kalimin e pronësisë mbi truallin e parcelës ndërtimore. Marrëdhëniet mes palëve për truallin do të konsiderohen të rregulluara përmes akteve noteriale të parashikuara nga ligji.
Pas legalizimit vetëm të ndërtesës, objekti regjistrohet në regjistrat kadastralë, por në kartelën e pasurisë vendoset një shënim që mbetet deri në rregullimin përfundimtar të marrëdhënies me truallin.
Projektligji parashikon gjithashtu një procedurë për rastet kur autoritetet e zhvillimit të territorit kërkojnë informacion për objektet informale në këto parcela.
ASHK duhet të bëjë evidentimin në terren dhe, nëse rezulton se objekti nuk ekziston më fizikisht, ai përjashtohet nga procesi i legalizimit dhe për këtë vendim njoftohet autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit.
Rregulli i ri nuk do të zbatohet për të gjitha llojet e ndërtimeve pa leje. Projektligji përjashton shprehimisht shtesat pa leje në ndërtime të regjistruara dhe objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat do të trajtohen sipas dispozitave të tjera të ligjit.
Po ashtu, nga ky mekanizëm nuk përfitojnë objektet pa leje me funksion social-ekonomik. Për poseduesit e tyre projektligji parashikon trajtim sipas nenit 33 të ligjit.
Një element tjetër lidhet me aksesin në pronë. Nëse objekti i legalizuar nuk ka dalje të drejtpërdrejtë në rrugë publike ose në një infrastrukturë të aksesueshme, poseduesit i njihet e drejta e servitutit të kalimit mbi pronën e një pale të tretë, sipas rregullave të Kodit Civil. /ekofin.al

