Raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë mbi transformimin digjital në sektorin bankar evidenton arsyet kryesore që po i shtyjnë bankat të investojnë gjithnjë e më shumë në zgjidhje FinTech. Rezultatet e vrojtimit tregojnë se motivimet janë kryesisht strategjike dhe të lidhura drejtpërdrejt me klientin, zhvillimet teknologjike, sigurinë, kërkesat rregullatore dhe konkurrencën në treg.
Ndryshimet në sjelljen e klientëve – shtytësi kryesor
Sipas raportit, faktori më i rëndësishëm që nxit investimet në FinTech janë ndryshimet në sjelljen dhe preferencat e klientëve. Shtatë banka, që përfaqësojnë 63.4% të totalit të aktiveve bankare, ranë plotësisht dakord se nevoja për të tërhequr brezat e rinj dhe për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje për shërbime digjitale, të personalizuara dhe të aksesueshme, është arsyeja kryesore për përqafimin e inovacionit teknologjik. Bankat po orientohen drejt modeleve “me klientin në qendër”, për të ruajtur konkurrencën dhe për të ulur rrezikun e humbjes së klientëve.
Teknologjitë e reja dhe përmirësimi i shërbimeve financiare
Përparimet teknologjike renditen gjithashtu ndër shtytësit kryesorë. Tetë banka, që përfaqësojnë 61.43% të aktiveve, theksuan domosdoshmërinë e përfshirjes së teknologjive të reja për përmirësimin e shërbimeve financiare. Këto investime përfshijnë zhvillimin e bankingut celular, përdorimin e zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale për shërbimin ndaj klientit dhe automatizimin e proceseve të brendshme, me synim rritjen e efikasitetit operacional.
Siguria kibernetike, një prioritet strategjik
Raporti nënvizon se shqetësimet për sigurinë kibernetike janë një tjetër shtytës kyç. Gjashtë banka, që përfaqësojnë 61.79% të aktiveve, ranë plotësisht dakord për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave të klientëve nga rreziqet kibernetike. Duke qenë se informacioni financiar është tejet i ndjeshëm, bankat po rrisin investimet në protokolle dhe infrastrukturë të avancuar sigurie për të garantuar besimin e klientëve dhe funksionimin e sigurt të platformave digjitale.
Kërkesat rregullatore dhe përafrimi me standardet ndërkombëtare
Pajtueshmëria me kuadrin rregullator dhe praktikat më të mira ndërkombëtare mbetet një motivues i rëndësishëm për adoptimin e FinTech. Pesë banka, që përfaqësojnë 56.6% të aktiveve, e cilësuan pajtueshmërinë rregullatore si arsye kryesore për investime në transformimin digjital, ndërsa katër banka të tjera, me 33.7% të aktiveve, ranë dakord se kërkesat rregullatore përforcojnë nevojën për inovacion teknologjik.
Konkurrenca nxit inovacionin
Mjedisi konkurrues bankar po ushtron presion të drejtpërdrejtë për adoptimin e FinTech. Pesë banka, që përfaqësojnë 48.14% të aktiveve, ranë plotësisht dakord, ndërsa katër të tjera, me 42.8% të aktiveve, janë dakord se inovacioni teknologjik është thelbësor për ruajtjen e avantazheve konkurruese. Transformimi digjital u mundëson bankave të diferencojnë shërbimet, të përmirësojnë angazhimin e klientëve dhe të rrisin gatishmërinë operacionale.
Automatizimi dhe efikasiteti operacional
Përtej këtyre shtytësve kryesorë, disa banka theksuan rëndësinë e automatizimit të proceseve të brendshme, përmirësimit të përvojës së klientëve dhe optimizimit operacional. Institucione si Raiffeisen Bank dhe Union Bank vlerësuan automatizimin si faktor kyç për rritjen e efikasitetit dhe përshkallëzimin e operacioneve, ndërsa banka të tjera vunë theksin te rritja e kënaqësisë së klientëve./ekofin.al


