Një tjetër projektligj është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që ka të bëjë me ndryshimet në ligjin “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas relacionit shoqërues, në këtë projektligj janë vlerësuar t’u jepen zgjidhje disa prej problematikave kryesore. Më konkretisht, synohet të nxitet veprimtaria e kërkim-zbulimit për shtimin e potencialit të rezervave minerare, veçanërisht atyre deficitare në rajon dhe BE. Për këtë arsye, parashikohet dhënia e lejeve me procedurë të hapur, për të gjitha zonat për të cilat nuk ka informacion gjeologjik, por gjithashtu edhe për ato që ka informacion të tillë, por ka interes për studim më të hollësishëm dhe besueshmëri më të lartë në lidhje me të dhënat për zonën.
Aktualisht ligji ka parashikuan të drejtën e pezullimit të veprimtarisë për shoqëritë minerare të licensuara deri në 1 vit, afat i cili mungonte në ligjin aktual. Duke qenë se tre vitet e para të veprimtarisë minerare janë kryesisht vitet kur kryhet investimi, është përjashtuar mundesia e pezullimit në këto tre vite.
Një nga problematikat e hasura gjatë zbatimit të veprimtarisë minerare është fakti që vlerësimi i vlerës së garancisë së rehabilitimit kryhet në momentin e marrjes së lejes minerare. Në përfundim të afatit të vlefshmërisë së lejes minerare vlera reale e rehabilimit është më e lartë se ajo e parashikuar, për këtë arsye në projektakt është parashikuar përditësimi i kësaj vlere sipas çmimeve të tregut.
Me ligjn e ri, shoqëritë që ushtrojnë veprimtari minerare, pas përfundimit të afatit të lejes, detyrohen të rehabilitojnë zonën brenda një afati deri në 18 muaj, afat i cili mungonte në ligjin aktual. Gjithashtu, në projektakt është parashikuar se në rast zotëruesi i lejes minerare ka braktisur zonën e lejes për 18 muaj, garancia e rehabilitimit e depozituar kalon në favor të shtetit.
Mënyra e depozitimit të garancisë së rehabilitimit përcaktohet duke pasur parasysh kushtet e terrenit, stabilitetin gjeoteknik dhe duhet të garantojë ndotjet për rastet aksidentale, të respektojë nivelet e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për ndotje të ujërave sipërfaqësore, nëntokësore, të florës e të faunës dhe ndikimin në ekosistemin e zonës minerare dhe asaj përreth saj.
Monitorimi i vazhdueshëm i veprimtarisë minerare të zotëruesve të lejeve minerare, nëpërmjet strukturave përgjegjëse, është shumë i rëndësishëm. Për të përmirësuar këtë shërbim, në projektakt është parashikuar që 60 për qind e të ardhurave nga gjobat për shkeljet administrative t’u shkojnë strukturave që kanë verifikuar shkeljet./ekofin.al
