Pas legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore, qeveria ka realizuar ndryshime edhe në ligjin “Për barnat narkotikë dhe lëndët psikotrope”, i cili është publikuar së fundmi edhe në Fletoren Zyrtare. Ligji ndryshon titullin në “Për lëndët narkotike, psikotrope dhe të kontrolluara”, si dhe riklasifikon bimët dhe lëndët e konsideruara si narkotike dhe që ndikojnë në shëndet.
Një nga ndryshimet e reflektuara në këtë ligj është edhe lejimi i kultivimit të farave dhe fidanëve të bimëve të dyshuara narkotike nga Instituti i Policisë Shkencore vetëm për ekspertizë të kërkuar nga organet ligjzbatuese.
Në kuptim të këtij ligji, lëndë të kontrolluara janë lëndë të cilat nuk janë të klasifikuara si lëndë narkotike dhe psikotrope në bazë të konventave ndërkombëtare, por kanë potencial për keqpërdorim apo varësi.
Të gjitha bimët dhe lëndët e klasifikuara si lëndë narkotike dhe psikotrope nga konventat ndërkombëtare ose akte të tjera në zbatim të këtyre konventave; përgatesat e tyre, si dhe të gjitha bimët dhe lëndët e tjera të rrezikshme për shëndetin publik, për shkak të efekteve të dëmshme që rezultojnë nga keqpërdorimi i tyre, janë përfshirë në tri grupime, secila me nëngrupimet përkatëse.
Klasifikimi i tyre është bërë në bazë të shkallës së rrezikshmërisë për shëndetin që mund të sjellë keqpërdorimi i tyre, përdorimi mjekësor ose jo, masave të kontrollit dhe aspekte të tjera në zbatim të parashikimeve në konventat ndërkombëtare, sipas përcaktimeve në skemën e klasifikimit.
Në grupin e parë bëjnë pjesë lëndët që kanë rrezikshmëri tepër të lartë për shëndetin e njeriut dhe përbëjnë potencial të lartë për varësi dhe abuzim. Këto lëndë kanë përdorim mjekësor të limituar.
Në grupin e dytë klasifikohen lëndët me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, me përdorim të miratuar nga mjeku dhe me potencial të moderuar për abuzim dhe varësi. Për të dyja këto grupe kërkohet kontroll i rreptë i trafikut të paligjshëm.
Në grupin e tretë bëjnë pjesët lëndët që kanë rrezikshmëri të ulët për shëndetin dhe me potencial të ulët abuzimi dhe varësie. Megjithatë, nuk lejohet përdorimi i tyre pa autorizimin me shkrim të përshkruesit të tyre. Edhe ky grup i nënshtrohet kontrollit të trafikut të paligjshëm. Të gjitha lëndët janë subjekt i ndjekjes penale në rast të mbajtjes për konsum vetjak.
Më konkretisht, rregullimi i kultivimit, prodhimit dhe qarkullimit të kontrolluar të bimës së cannabis-it, nënprodukteve të saj dhe produkteve përfundimtare për përdorim mjekësor dhe industrial, si dhe rregullimi dhe garantimi i procesit të kontrollit e të mbikëqyrjes së kultivimit, prodhimit dhe qarkullimit, si dhe eksportimit të bimës së cannabis-it, të nënprodukteve të saj dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale, bëhet sipas përcaktimeve në ligjin nr. 61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”. /ekofin.al
