Subjektet që aplikojnë për licenca dhe autorizime për lëndët plasëse për përdorim civil pritet t’u nënshtrohen tarifave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave. Ndryshimi parashikohet në një projektligj të ri, i cili synon të mbyllë një vakum ligjor të krijuar që nga viti 2021, kur ligji i ri për këtë sektor nuk përfshiu dispozita specifike për tarifimin e aplikimeve.
Projektligji ndryshon ligjin nr. 74/2021 “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil”. Në nenin 21 propozohet të shtohet një pikë e re, sipas së cilës tarifat për mbulimin e kostove administrative të trajtimit të aplikimeve për licenca dhe autorizime do të caktohen nga Këshilli i Ministrave.
Dokumentet nuk përcaktojnë ende shumën që do të paguajnë subjektet. Kjo do të vendoset më pas nga qeveria, çka do të thotë se efekti konkret financiar për bizneset që operojnë me lëndë plasëse për përdorim civil nuk mund të llogaritet në këtë fazë.
Relacioni shoqërues sqaron se tarifat nuk synojnë të mbulojnë vetëm kostot administrative të procesit të aplikimit. Ato do të shërbejnë edhe për shpenzimet që lidhen me inspektimet dhe kontrollet e kryera nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.
Sipas relacionit, kur u miratua ligji nr. 74/2021 nuk u parashikuan dispozita specifike për tarifat që paguajnë subjektet për pajisjen me licenca dhe autorizime nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.
Përpara ligjit të ri, këto tarifa zbatoheshin mbi bazën e një vendimi të Këshillit të Ministrave. Por ky vendim u shfuqizua automatikisht me hyrjen në fuqi të ligjit të vitit 2021, duke krijuar atë që vetë relacioni e cilëson si “vakum ligjor”.
Për të korrigjuar këtë boshllëk, Ministria e Mbrojtjes propozon që baza për tarifat të vendoset drejtpërdrejt në ligj, ndërsa niveli i tyre të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas relacionit, ndryshimi kufizohet vetëm në këtë aspekt dhe synon të sigurojë vazhdimësinë e procesit të licencimit dhe autorizimit. /ekofin.al
