Operatorët që shkaktojnë dëme në mjedis do të përballen jo vetëm me masat administrative apo gjobat e parashikuara nga legjislacioni, por edhe me kostot që lidhen me identifikimin, hetimin, parandalimin dhe riparimin e dëmit të shkaktuar.
Ministria e Mjedisit ka miratuar metodën e re për specifikimin e shpenzimeve për përcaktimin dhe eliminimin e kërcënimit dhe dëmit në mjedis, duke vendosur një kuadër të detajuar për mënyrën se si do të llogaritet fatura financiare e dëmit mjedisor. Urdhri nr. 460, datë 28 gusht 2026 hyn në fuqi menjëherë, ndërsa zbatimi i metodës do të nisë pas hyrjes në fuqi të akteve nënligjore për përgjegjësinë mjedisore.
Metoda e re thekson parimin “ndotësi paguan”. Dokumenti përcakton rregullat për vlerësimin dhe dokumentimin e kostove që lidhen me identifikimin e kërcënimeve të menjëhershme ndaj mjedisit, masat parandaluese, masat riparuese, monitorimin, kostot administrative dhe, në fund, rikuperimin e këtyre shpenzimeve nga operatorët përgjegjës.
Metoda do të zbatohet për dëmet që prekin speciet e mbrojtura, habitatet natyrore dhe ekosistemet, ujërat dhe tokën. Në të përfshihen edhe ndotësit e transportuar nëpërmjet ajrit, kur ata shkaktojnë dëme ndaj ujërave, tokës, specieve të mbrojtura apo habitateve natyrore. Vëmendje e posaçme parashikohet për dëmet në zonat e mbrojtura, rrjetin Emerald, zonat e propozuara për Natura 2000 dhe korridoret ekologjike.
Fatura që mund t’i ngarkohet ndotësit nuk kufizohet vetëm te kostoja fizike e pastrimit apo restaurimit të zonës së dëmtuar. Në të mund të hyjnë inspektimet në terren, marrja e mostrave, analizat laboratorike, studimet teknike dhe shkencore, modelimi i përhapjes së ndotësve, shpenzimet e personelit dhe të udhëtimit të autoriteteve, si edhe shërbimet e ekspertëve, laboratorëve të akredituar dhe institucioneve kërkimore.
Kur ekziston rrezik për shëndetin e njeriut ose mjedisin, përllogaritja mund të përfshijë edhe vlerësimin e rrezikut shëndetësor dhe ekologjik, analizat socio-ekonomike, analizat kosto-përfitim dhe kosto-efektivitet, sipërfaqen e habitatit të dëmtuar, kohëzgjatjen e dëmit dhe mundësinë e rigjenerimit natyror.
Metoda përfahin si kosto të rikuperueshme edhe shpenzimet për ndërhyrjet emergjente. Kur kërkohet veprim i menjëhershëm për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve ose të mjedisit, të gjitha kostot e arsyeshme dhe të nevojshme të këtyre masave mund të përfshihen në faturën përfundimtare.
Përgjegjësia financiare shtrihet edhe më tej. Nëse dëmi nuk mund të riparohet plotësisht me ndërhyrjen parësore, mund të përcaktohen masa plotësuese. Ndërsa për periudhën gjatë së cilës burimet natyrore ose shërbimet e ekosistemit mbeten të dëmtuara, parashikohen edhe masa kompensuese. Humbjet e përkohshme llogariten nga momenti i shkaktimit të dëmit deri në rikuperimin e plotë.
Në kostot që mund të rikuperohen përfshihen gjithashtu monitorimi i efektivitetit të masave, procedurat administrative, koordinimi institucional dhe vendimmarrja e autoriteteve. Edhe kostot ligjore dhe gjyqësore të lidhura drejtpërdrejt me zbatimin e përgjegjësisë mjedisore cilësohen si të rikuperueshme, sipas legjislacionit në fuqi.
Për përcaktimin e faturës do të përdoren shpenzimet faktike të dokumentuara, çmimet e tregut, vlerësimet e ekspertëve dhe normat standarde të kostos. Në rastet kur kostot reale nuk mund të dokumentohen plotësisht, autoriteti kompetent do të mund të përdorë vlerësime të arsyetuara, kosto referuese për njësi ose modele standarde për skenarë tipikë të parandalimit dhe riparimit.
Për dëmet mjedisore mund të përdoren gjithashtu metoda si ekuivalenca “burim-me-burim”, “shërbim-me-shërbim”, kostoja e zëvendësimit apo kostoja e restaurimit, si dhe metoda të tjera të njohura në praktikën e Bashkimit Evropian. Metoda konkrete do të zgjidhet në varësi të karakteristikave të dëmit dhe të dhënave të disponueshme. /ekofin.al
