Qeveria ka vendosur të ndryshojë disa modalitete të dokumentacionit që paraqesin kategoritë e caktuara për përfitimin e ndihmës ekonomike mujore.
Për familjet përfituese në skemën e ndihmës ekonomike, anëtarët madhorë orientohen me prioritet drejt programeve të nxitjes së punësimit, riintegrimit social dhe punëve publike në komunitet, me qëllim fuqizimin e familjes dhe riintegrimin e saj në shoqëri.
Anëtarit të familjes përfituese të ndihmës ekonomike, të përfshirë në këto programe punësimi, nuk i llogaritet masë përfitimi e ndihmës ekonomike sipas strukturës së familjes. Në të ardhurat e familjes nuk llogariten pagesat e anëtarëve që ndjekin formimin profesional, të ardhurat nga bursat e fëmijëve që ndjekin arsimin profesional dhe të ardhurat e fëmijëve të angazhuar në arsim dhe në formimin profesional në formën e dyfishtë.
Ndërsa, për fëmijët e familjeve në nevojë, prindërve me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, dhe jetimët, të cilët ndjekin arsimin bazë, vërtetimi për ndjekjen e shkollës për të përfituar pagesën shtesë merret me ndërveprim nga Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar.
Për të përfituar ndihmën ekonomike, për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë invalidë pune apo persona me aftësi të kufizuara, që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar, krahas dokumentacionit të mëparshëm, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror merr vërtetimin e komisionit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, nëpërmjet ndërveprimit me Regjistrin Elektronik Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar.
Familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë anëtarë madhorë, paraqesin dy herë në vit vërtetimin për hyrje-daljet nga territori shqiptar, të lëshuar nga portali “e-Albania”.
Sipas vendimit, administratori shoqëror identifikon familjet e individët në nevojë, i informon për regjistrimin si punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës dhe për të vijuar me procedurat e punësimit përpara aplikimit për përfitimin e ndihmës ekonomike. Individët e referuar paraqiten në zyrën e punës pranë vendbanimit të tyre brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike.”
Ndërkohë do të përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë gjashtëmujore, familjet të cilat kanë në përbërje të tyre edhe një anëtar të vetëm, i cili nuk tërheq ndihmën ekonomike brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga dita e depozitimit në llogarinë bankare/kryerjes së pagesave nga Posta Shqiptare, sh.a., me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si ato shëndetësore apo fatkeqësi.
Vërtetimi për përfitimin ose jo të ndihmës ekonomike lëshohet nëpërmjet portalit “e-Albania” ndërkohë vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ekofin.al