Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes miqësore Shqipëri–Izrael, që do të luhet sot, më 3 qershor 2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.
Për shkak të ndeshjes, nga ora 16:00 deri në përfundim të saj do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse pranë stadiumit. Tifozët këshillohen të shmangin lëvizjen me automjete në zonën përreth “Air Albania” dhe të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke nisur nga ora 18:00, për të shmangur vonesat nga kontrollet dhe fluksi i madh para fillimit të ndeshjes.
Rrugët që do të bllokohen janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food “Laguna”, pranë urës së ish-hotel Dajtit; rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së; rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së; rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së; rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës; rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së; rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës; rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Pak para përfundimit të ndeshjes, te sheshi “Willson” lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.
Policia sqaron se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.
Në hyrje të stadiumit do të kryhen kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve. Nuk do të lejohet futja e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, produkteve kozmetike dhe sendeve të forta apo të rrezikshme.
Për këtë aktivitet janë angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të monitorojnë situatën në terren, do të garantojnë rendin publik dhe do të ndihmojnë qytetarët e tifozët në rast nevoje.
