Qeveria ka vendosur të zgjasë nga 3 në 5 vjet periudhën e mbështetjes financiare në formën e bonusit të qirasë për poseduesit e ndërtimeve pa leje që nuk mund të legalizohen. Ndryshimi synon të garantojë një periudhë më të gjatë mbështetjeje për familjet dhe individët që preken nga moslegalizimi i ndërtimeve të tyre.
Vendimi i ri ndryshon vendimin nr. 409, datë 15 qershor 2022, “Për rregullat, mënyrat dhe afatet e trajtimit të poseduesve të ndërtimeve pa leje që nuk legalizohen”, duke e rritur me dy vjet afatin e trajtimit financiar.
Kjo do të thotë se subjektet që plotësojnë kriteret ligjore për përfitimin e bonusit të qirasë do të mund të mbështeten financiarisht për një periudhë deri në pesë vjet, nga tre vjet që parashikohej më parë.
Sipas ndryshimeve, zgjatja e afatit nuk do të zbatohet vetëm për përfituesit e rinj, por edhe për ata që janë njohur më parë si përfitues të bonusit të qirasë.
Konkretisht, vendimi shton një dispozitë të re, sipas së cilës efektet e zgjatjes së afatit të trajtimit financiar shtrihen edhe mbi subjektet që kanë fituar të drejtën e përfitimit përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve.
Në këtë mënyrë, familjet dhe individët që tashmë përfitojnë nga skema nuk do të mbeten jashtë afatit të ri pesëvjeçar vetëm për shkak se janë përfshirë në program përpara miratimit të vendimit.
Ndryshimi ka rëndësi veçanërisht për poseduesit e ndërtimeve pa leje që nuk legalizohen, të cilët përballen me nevojën për të siguruar një strehim alternativ. Zgjatja e bonusit të qirasë u jep atyre një periudhë shtesë mbështetjeje financiare, duke lehtësuar përkohësisht shpenzimet për strehim. /ekofin.al
