NAREA ka paraqitur gjithashtu një sërë propozimesh konkrete që lidhen me sfidën e strehimit të përballueshëm në Shqipëri, duke kërkuar ndërhyrje institucionale dhe ligjore të ngjashme me përpjekjet e Bashkimit Evropian.
Në dokumentin e publikuar, NAREA thekson se përballueshmëria e strehimit është kthyer në një problem thelbësor për qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndërsa kostot në rritje të jetesës dhe politikat shtrënguese të kreditimit kanë vështirësuar më tej qasjen në një banesë.
NAREA propozon ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Strehimin e Përballueshëm. Sipas Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, kyr organ do të kishte si mision analizën gjithëpërfshirëse të kuadrit ligjor për strehimin, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimin, hartëzimin e nevojave për strehim sipas rajoneve dhe grupeve shoqërore, vlerësimin e prirjeve të kostove të strehimit dhe përfshirjen e tyre në politikat sociale, si edhe monitorimin e një Plani Kombëtar për Strehimin e Përballueshëm.
Si pikë të dytë të propozimit, NAREA sugjeron ngritjen e një Task Force Ndërinstitucionale për Strehimin dhe Energjinë. Kjo strukturë, e parashikuar të ngrihet pranë Këshillit të Ministrave, do të adresonte çështje si hartimi i një Strategjie për ndërtimin me qëllim banimin, përdorimin e stokut ekzistues të banesave dhe menaxhimi i tregut të qirasë, analiza e instrumenteve financiare për investimet në strehim, si edhe një plan-veprimi për rinovimin e ndërtesave të vjetra dhe kalimin drejt banesave me performancë energjetike të lartë, sipas kërkesave të BE-së.
Propozimet e NAREA vijnë në një kohë kur Bashkimi Evropian ka nisur një proces të gjerë për planin europian të strehimit të përballueshëm, ndërsa Shqipëria ndodhet në fazën kyçe të integrimit drejt vitit 2030. Si pjesë e organizmave më të rëndësishëm globalë në fushën e real estate – NAR në SHBA dhe CEPI në Bruksel – NAREA thekson se është e gatshme të sjellë ekspertizë ndërkombëtare për të ndihmuar institucionet shqiptare në hartimin e politikave më efektive dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët.
“Strehimi nuk është vetëm një e drejtë themelore, por edhe një element kyç për stabilitetin ekonomik dhe shoqëror. Shqipëria ka nevojë për një qasje të koordinuar mes Parlamentit, Qeverisë dhe tregut, në mënyrë që çdo qytetar të ketë mundësi reale për të siguruar një banesë të denjë e të përballueshme”, – nënvizon NAREA. /ekofin.al
