Shoqata Kombëtare e Agjentëve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) i ka dorëzuar Ministrisë së Financave një analizë të detajuar me komente dhe propozime për projektligjin “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, duke kërkuar rishikimin e një sërë dispozitash që, sipas saj, krijojnë boshllëqe ligjore, cënojnë parimin e barazisë fiskale dhe nuk janë plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Dokumenti, i siguruar nga Ekofin.al, përbën një nga analizat më të plota të hartuara deri tani mbi projektligjin dhe është depozituar në kuadër të procesit të konsultimit publik. Në të identifikohen shtatë konflikte ose boshllëqe të nivelit të lartë me acquis communaetaire, si edhe dhjetëra amendamente konkrete që synojnë përmirësimin e draftit përpara miratimit në Qeveri dhe Kuvend.
Shtatë problematikat madhore që ngre NAREA
Në analizën e saj, NAREA argumenton se projektligji ka mospërputhje me një sërë direktivash dhe rregulloresh evropiane, duke përfshirë ato për bashkëpunimin administrativ tatimor (DAC), mbrojtjen e të dhënave personale (GDPR), luftën kundër pastrimit të parave (AML), standardet bankare, prokurimin publik dhe standardet e “Better Regulation” të Bashkimit Evropian.
Sipas dokumentit, nëse këto çështje nuk adresohen përpara miratimit të ligjit, ato mund të krijojnë vështirësi në procesin e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së, veçanërisht në kapitujt që lidhen me financat, konkurrencën, drejtësinë dhe administrimin fiskal.
Kërkohet metodologji e qartë për vlerësimin e pronës
Një nga komentet kryesore lidhet me mënyrën se si do të përcaktohet vlera e pasurisë.
NAREA vlerëson se projektligji ia delegon pothuajse të gjithë metodologjinë e vlerësimit Këshillit të Ministrave, pa përcaktuar në ligj elementët bazë mbi të cilët do të ndërtohet vlera fiskale e pronës.
Shoqata propozon që në ligj të përfshihen qartë faktorët e vlerësimit, si sipërfaqja, vendndodhja, orientimi, mosha e objektit, gjendja fizike, infrastruktura, certifikata e performancës energjetike, si dhe detyrimi që metodologjia të harmonizohet me standardet ndërkombëtare të vlerësimit (EVS dhe IVS).
Zbritja për banesën e parë konsiderohet diskriminues
Një tjetër kritikë lidhet me mënyrën si është ndërtuar skema e përjashtimit për banesën e parë.
Sipas analizës së NAREA-s, diferencat e mëdha ndërmjet pragjeve të përjashtimit sipas bashkive krijojnë rrezik për trajtim të pabarabartë të qytetarëve dhe mund të bien ndesh me parimin kushtetues të barazisë para ligjit.
Shoqata propozon që pragjet të mbështeten mbi kritere objektive, si vlera mesatare e tregut dhe kushtet socio-ekonomike të secilës zonë, ndërsa kërkon edhe lehtësira shtesë për familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet me shumë fëmijë.
Kundërshtohet përjashtimi fiskal për hotelet me “brand name”
Një nga komentet më të forta lidhet me përjashtimin 10-vjeçar nga taksa për hotelet me katër dhe pesë yje që operojnë me marka ndërkombëtare.
Sipas NAREA-s, ky kriter krijon avantazh selektiv dhe mund të konsiderohet ndihmë shtetërore në kundërshtim me rregullat evropiane të konkurrencës.
Për këtë arsye propozohet heqja e kriterit “brand name” dhe zëvendësimi i tij me kritere objektive që vlejnë njësoj për të gjithë operatorët.
Kadastra Fiskale kërkon më shumë garanci
Një pjesë e konsiderueshme e dokumentit i kushtohet krijimit të Kadastrës Fiskale.
NAREA argumenton se projektligji nuk garanton ndërveprimin me sistemet evropiane të shkëmbimit automatik të informacionit (DAC), nuk parashikon lidhjen me Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe nuk adreson në mënyrë të plotë mbrojtjen e të dhënave personale sipas standardeve të GDPR-së.
Shoqata kërkon që ligji të përfshijë detyrimin për vlerësimin e ndikimit mbi privatësinë (DPIA), të përcaktojë afatet e ruajtjes së të dhënave, garancitë për qytetarët dhe rregullat për operatorët privatë që mund të kontraktohen për evidentimin e pasurive.
Apelimi të mos bëhet nga e njëjta bashki
Një tjetër propozim lidhet me procedurat e ankimit.
Sipas draftit aktual, ankimi administrativ shqyrtohet nga vetë bashkia që ka nxjerrë aktin tatimor.
NAREA e konsideron këtë zgjidhje problematike për shkak të mungesës së paanshmërisë dhe propozon ngritjen e një Gjykate Kombëtare të Pavarur të Apelimit Tatimor për Pasurinë, me anëtarë të emëruar nga Kuvendi pas konsultimit me institucionet përkatëse.
Kundërshtohen kufizimet për qytetarët debitorë
Shoqata kërkon gjithashtu rishikimin e dispozitave që parashikojnë pezullimin e shërbimeve publike për qytetarët me detyrime të papaguara.
Sipas analizës, kufizimet duhet të lidhen vetëm me shërbimet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pasurinë objekt taksimi, ndërsa duhet të përjashtohen shërbimet civile, shëndetësore, arsimore, leja e drejtimit dhe regjistrimet e biznesit.
Kërkohet më shumë kohë për zbatimin e reformës
Një tjetër rekomandim i rëndësishëm lidhet me hyrjen në fuqi të ligjit.
NAREA propozon shtyrjen e afateve procedurale dhe raportim periodik të gatishmërisë institucionale përpara se sistemi i ri të nisë zbatimin, duke argumentuar se reforma kërkon përgatitje teknike dhe administrative shumë më të gjatë sesa parashikon projektligji.
Në përfundim të analizës, shoqata vlerëson se projektligji përfaqëson një reformë të rëndësishme për administrimin e taksës së pasurisë, por thekson se ai duhet të rishikohet përpara miratimit, në mënyrë që të shmangen konfliktet me legjislacionin evropian, të garantohet siguria juridike e qytetarëve dhe të ndërtohet një sistem fiskal i drejtë, transparent dhe i zbatueshëm. /ekofin.al


