Çmimet e naftës kanë rënë në tregtinë e fundit të javës, por janë ende në ritëm për të arritur rritjen më të madhe javore që prej fundit të Gushtit, ndërkohë që janë zbutur shqetësimet mbi ndikimin e variantit Omicron tek ekonomia botërore dhe kërkesa për naftë. Të dy çmimet referencë botërorë të naftës janë drejt rritjes me mbi 6% këtë javë, pavarësisht disa mbylljesh të pozicioneve për të marrë fitimin. Nafta bruto amerikane ra me 0.4% në tregtinë e fundit të javës në 70.68 dollarë për fuçi, pas ra me 2% në tregtinë e kaluar.
Nafta brent e Londrës ra me 0.6% në 74.01 dollarë për fuçi, pasi humbi 1.9% . Më herët gjatë javës, tregu i naftës kishte rikuperuar thuajse gjysmën e humbjeve që pësoi kur u identifikua për herë të parë Omicron, pasi studimet sugjeruan se 3 doza të vaksinës së Pfizer ofrojnë mbrojtje ndaj Omicron. Analistët thonë se frika ndaj Omicron po largohet dhe pranimi i rrezikut është rritur.
Megjithatë, tregu nuk ka dalë ende nga sfidat dhe ka ende shqetësime se varianti Omicron mund të rikthejë kufizime të lëvizjes përtej kufijve gjatë sezonit të festave. Çmimet janë gjithashtu nën presion ndërkohë që trafiku i brendshëm ajror në Kinë, dikur i dalluar në të gjithë botën për rimëkëmbjen e shpejtë nga pandemia, po bie për shkak të politikave Covid zero në vend, që kanë shtrënguar rregullat.