Nafta bruto Brent ra me mbi 6% mëngjesin e së hënës, duke u tërhequr nga niveli më i lartë i mbylljes që prej marsit, ndërsa ndërmjetësit rajonalë u nisën drejt Teheranit dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, shqyrtoi mundësinë e një marrëveshjeje me Iranin. Ndërkohë, investitorët po përgatiten për një javë të ngarkuar me vendime të bankave qendrore dhe publikime të rezultateve financiare të kompanive.
Çmimet e naftës ranë ndjeshëm mëngjesin e së hënës, ndërsa përpjekjet diplomatike për të qetësuar luftën me Iranin morën vrull dhe presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po shqyrtonte mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Teheranin.
Nafta Brent, treguesi referues global, ra me mbi 6%, nga rreth 117,4 dollarë për fuçi në mbylljen e së premtes, në rreth 110 dollarë për fuçi në momentin e shkrimit. Ndërkohë, nafta bruto amerikane West Texas Intermediate (WTI) ra me rreth 2%, në 101,5 dollarë për fuçi.
Mbyllja e së premtes shënoi nivelin më të lartë të Brent-it që prej 19 marsit dhe ishte vetëm rreth 2% nën kulmin prej 119,5 dollarësh për fuçi, të arritur në fillim të marsit, kur nisi lufta me Iranin. Para konfliktit, Brent tregtohej me rreth 72 dollarë për fuçi.
Çmimet u rritën ndjeshëm javën e kaluar, pasi rebelët Huthi të Jemenit, një grup i armatosur i lidhur me Iranin, sulmuan aeroporte dhe objekte energjetike në Arabinë Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë.
Megjithatë, situata ndryshoi gjatë fundjavës.
Ndërmjetësit nga Katari raportohet se udhëtuan drejt Teheranit të dielën, në koordinim me Uashingtonin. Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Arabisë Saudite, shefi i ushtrisë së Pakistanit dhe drejtuesi i shërbimit të inteligjencës së Turqisë pritej të mbërrinin në kryeqytetin iranian të hënën, për bisedime mbi sigurinë rajonale.
Në një intervistë për televizionin Fox News të dielën, Trump e paraqiti situatën si një zgjedhje mes dy alternativave, duke pyetur: “A të bëj një marrëveshje me ta, apo t’i shkatërroj përfundimisht?”
Rreziqet për furnizimin me naftë nuk janë zhdukur. Huthit deklaruan se gjatë fundjavës kishin sulmuar sërish aeroporte dhe objekte energjetike saudite, ndërsa autoritetet e Riadit njoftuan se kishin rrëzuar raketa dhe dronë të tjerë.
Trump pretendon se flukset e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit janë rritur
Gjatë një aktiviteti elektoral në Port Huron, në Miçigan, përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Trump mbrojti arsyet e administratës së tij për nisjen e konfliktit.
Duke iu referuar gazetës The Wall Street Journal, ai pretendoi gjithashtu se “nafta që po kalon përmes Ngushticës së Hormuzit tani po tejkalon nivelet e para luftës […] marina jonë ka qenë e jashtëzakonshme”.
Përpara luftës, Ngushtica e Hormuzit përshkonte rreth një të pestën e furnizimit botëror me naftë.
Eksportet e naftës nga Gjiri Persik, duke përjashtuar Iranin, u rikthyen në nivelet e para luftës në shtator, sipas kompanisë së analizës së transportit detar Kpler. Megjithatë, rreth 40% e këtyre eksporteve tani shmangin Ngushticën e Hormuzit duke përdorur tubacionet, krahasuar me vetëm 17% përpara konfliktit.
Javë e ngarkuar me rezultatet financiare dhe vendimet e bankave qendrore
Investitorët po përgatiten gjithashtu për një javë të ngjeshur me vendime mbi normat e interesit nga bankat qendrore kryesore të botës.
Në Evropë, si indeksi pan-evropian Stoxx 600, ashtu edhe Euro Stoxx 50, tregtoheshin mbi 0,6% më lart krahasuar me mbylljen e së premtes.
Indeksi FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar, DAX i Gjermanisë, CAC 40 i Francës, FTSE MIB i Italisë dhe SMI i Zvicrës shënuan rritje nga 0,3% deri në 1%, me indeksin gjerman që kryesonte fitimet.
IBEX 35 i Spanjës dhe AEX i Holandës tregtoheshin pothuajse të pandryshuar.
Asetet franceze morën njëfarë lehtësimi pasi agjencia e vlerësimit të kreditit Moody’s vendosi papritur të ruante vlerësimin Aa3 për Francën të premten në mbrëmje.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontratat e së ardhmes për indeksin S&P 500 ishin 0,3% në rritje, ndërsa në të njëjtën masë u rritën edhe ato për Nasdaq 100, indeksin e përqendruar te kompanitë e teknologjisë.
Java në vijim është veçanërisht e ngarkuar. Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara (Fed) do të shpallë vendimin e saj të mërkurën. Pritshmëritë e tregut janë që ajo t’i mbajë normat e interesit në intervalin 3,75%–4%, përpara një rritjeje të mundshme në dhjetor.
Të enjten do të vendosë Banka Qendrore Evropiane, ndërsa në fokus do të jetë edhe trazira në tregun e obligacioneve shtetërore të Francës. Të premten do të jetë radha e Bankës së Japonisë.
Edhe sezoni i publikimit të rezultateve financiare të kompanive arrin kulmin këtë javë, pasi rreth një e treta e kompanive të indeksit S&P 500 do të raportojnë rezultatet e tyre. Mes tyre janë Alphabet, Microsoft dhe Amazon.
Në Evropë, kompanitë energjetike BP dhe Shell do të publikojnë gjithashtu përditësime për investitorët./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
