Evropa Perëndimore po përballet të mërkurën me reshje të dendura bore dhe akull, teksa Stuhia Goretti, stuhia e parë e emërtuar e këtij viti, ka goditur bregdetin Atlantik të kontinentit.
Qindra fluturime janë anuluar në Francë dhe Belgjikë, duke lënë pasagjerë të bllokuar në aeroporte. Shërbimet Eurostar po përballen me vonesa dhe disa anulime, ndërsa drejtuesit e automjeteve në të gjithë kontinentin po paralajmërohen për kushte shumë të rrezikshme në rrugë.
Qindra fluturime të anuluara në aeroportet e Parisit
Rreth 100 fluturime u anuluan në aeroportin Charles de Gaulle në Paris të mërkurën në mëngjes për shkak të reshjeve të borës dhe të ftohtit të ashpër, ndërsa edhe 40 fluturime të tjera u anuluan në aeroportin Orly, bëri të ditur ministri francez i Transporteve.
Ndërprerjet ishin parashikuar që të martën në mbrëmje, me ministrin e Transporteve, Philippe Tabarot, i cili i tha televizionit CNews se “shpreson që situata të normalizohet këtë pasdite”.
Të gjitha shërbimet publike të autobusëve në Paris dhe në periferitë përreth u pezulluan për shkak të rrugëve të akullta, megjithëse shumica dërrmuese e metrosë dhe e trenave periferikë vazhduan të funksionojnë, sipas autoriteteve të transportit.
Kompania shtetërore hekurudhore franceze SNCF paralajmëroi pasagjerët për ndërprerje dhe vonesa, duke theksuar se “bora në shina na detyron të kufizojmë shpejtësinë e trenave dhe të anulojmë ose riorganizojmë qarkullimin”.
Shërbimi meteorologjik Météo France njoftoi se 38 nga 96 departamentet e Francës kontinentale janë në alarm për reshje të dendura bore dhe ngrica të rrezikshme, me akumulime prej tre deri në shtatë centimetra bore.
Sipas këtij shërbimi, vala e të ftohtit është me “intensitet të rrallë për këtë periudhë të vitit” dhe autoritetet u kanë kërkuar banorëve të rajonit të Parisit të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të punojnë nga shtëpia, nëse është e mundur.
Pasagjerë të bllokuar në aeroportin Schiphol të Amsterdamit
Ndërkohë, aeroporti Schiphol i Amsterdamit, një nga më të mëdhenjtë në Evropë, njoftoi anulimin e të paktën 700 fluturimeve të mërkurën për shkak të borës dhe erërave të forta, pas disa ditësh me probleme të vazhdueshme në udhëtime për shkak të motit.
Shumica e fluturimeve brenda Evropës janë pezulluar deri në fund të ditës, ndërsa disa fluturime ndërkombëtare po realizohen me vonesa.
Më shumë se 1,000 persona kaluan natën në aeroportin Schiphol, i cili bëri të ditur se kishte vendosur shtretër kampingu dhe kishte ofruar mëngjes për udhëtarët e detyruar të flinin aty.
Numri i anulimeve pritet të rritet gjatë ditës.
Në Belgjikë, të paktën 40 fluturime u anuluan në aeroportin e Brukselit të mërkurën, ndërsa autoritetet paralajmëruan për vonesa gjatë gjithë ditës. Për shkak të procesit të shkrirjes së akullit në avionë dhe pastrimit të pistave, aeroporti paralajmëroi në faqen e tij zyrtare se vonesat janë të pashmangshme. “Ekipet tona të operacioneve dimërore janë të përgatitura dhe do të bëjnë gjithçka për të minimizuar ndikimin në aeroport”, thuhet në njoftim.
Aeroporti i Budapestit në Hungari njoftoi se 20 fluturime u anuluan gjatë natës, pasi kryeqyteti përjetoi një nga reshjet më të mëdha të borës në 15 vitet e fundit.
Trena Eurostar të anuluar dhe me vonesa
Disa udhëtarë të bllokuar në aeroporte kanë kërkuar alternativa përmes trenit ose rrugës, por edhe këto opsione po pengohen nga kushtet e motit.
Eurostar njoftoi se trenat midis Londrës dhe Parisit, Amsterdamit dhe Brukselit “ka shumë gjasa të përballen me vonesa të mëdha dhe anulime të minutës së fundit” për shkak të reshjeve të dendura të borës.
Aktualisht, shërbimet midis Londrës dhe Parisit po shfaqin vonesa deri në mes të pasdites. Shumë trena midis Brukselit dhe Londrës, si dhe Amsterdamit dhe Londrës, po funksionojnë me shërbime të kufizuara, që do të thotë se udhëtarët nuk mund të zbresin në ndalesat ndërmjetëse.
Rrjetet hekurudhore dhe rrugore në Holandë janë bllokuar nga bora. Operatori hekurudhor NS u ka bërë thirrje udhëtarëve që “ta shtyjnë udhëtimin nëse është e mundur”. Si trenat vendas ashtu edhe ata ndërkombëtarë janë prekur nga situata.
Paralajmërime për akull në Mbretërinë e Bashkuar
Në Mbretërinë e Bashkuar, një paralajmërim i verdhë për erëra të forta është në fuqi për Cornwall, Devon dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti pritet të shkaktojë ndërprerje në pjesën më të madhe të jugperëndimit.
Në Bristol, Bath, Gloucestershire dhe Wiltshire, një paralajmërim i verdhë për borë do të jetë aktiv deri të premten në mesditë. Sistemi i stuhisë pritet gjithashtu të sjellë reshje të dendura bore në Uells deri në fund të javës.
Shërbimi meteorologjik britanik Met Office paralajmëroi se reshjet e dendura të borës mund të shkaktojnë kushte shumë të vështira udhëtimi dhe vonesa.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) zgjati gjithashtu alarmet shëndetësore të nivelit “amber” për të ftohtin në Angli deri të dielën.
Rënia e temperaturave sjell viktima dhe të lënduar
Edhe vendet nordike po përballen me kaos nga bora. Autoritetet në lindje të Suedisë paralajmëruan se ndërprerjet e energjisë elektrike janë “të mundshme” për shkak të reshjeve të dendura.
Tramvajet u pezulluan në qytetin perëndimor të Gothenburgut, ndërsa autoritetet rajonale u kërkuan qytetarëve të mos ngasin automjetet dhe të qëndrojnë në shtëpi, nëse është e mundur.
Në Danimarkë, autoritetet në rajonin verior të North Jutland paralajmëruan për reshje të dendura bore, por thanë se situata është nën kontroll. “Për momentin situata është e qetë, por po e marrim shumë seriozisht parashikimin e motit”, shkroi policia në një deklaratë, duke u bërë thirrje qytetarëve të jenë të përgatitur dhe të ndjekin këshillat e sigurisë, veçanërisht nëse duhet të udhëtojnë.
Që nga rënia e temperaturave të hënën, pesë persona kanë humbur jetën në Francë. Tre persona vdiqën në aksidente të lidhura me akullin e zi në jugperëndim të vendit, ndërsa një shofer taksie ndërroi jetë në spital pasi automjeti i tij doli nga rruga dhe ra në lumin Marne në rajonin e Parisit.
Në Hungari, një grua humbi jetën pasi makina e saj rrëshqiti në akull dhe u përplas me një automjet tjetër, sipas ministrisë së Brendshme.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, pas rënies së gati 40 centimetrave borë në kryeqytetin Sarajevë gjatë fundjavës, një grua vdiq në spital pasi u godit nga një pemë që u rrëzua nën peshën e borës, njoftoi policia.

