“Vertigo” sh.p.k do të jetë Zhvillues i “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA) në fshatin Xhafzotaj, Bashkia Shijak, në sektorin e prodhimit, përpunimit, tregtisë dhe shërbimeve, duke përfshirë industrinë automotive, e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, e pajisjeve agroindustriale.
Përmes një vendimi të marrë në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka bërë shpalljen e TEDA-s dhe zhvilluesit të saj.
Më herët, në nëntor të vitit të kaluar, me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, projekti mori statusin “investim/investitor strategjik procedurë e asistuar”.
Tashmë, vendimi i qeverisë i hap rrugë ndërtimit të “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, me sipërfaqe 135 215 m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 53 022.3 m2, pjesë e zonës kadastrale 3852, në Xhafzotaj, Shijak.
Veprimtaritë, që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, janë të llojit industri prodhuese; industri e automjeteve dhe pjesëve të këmbimit; industri e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT); industri e pajisjeve elektrike dhe elektronike; industri e produkteve të energjisë; industri e rëndë; industri e lehtë dhe agropërpunuese; përpunim dhe magazinim mallrash; tregtare dhe eksport-import; shërbime; si dhe industri të tjera.
Sipas vendimit, periudha e funksionimit të zonës është 35 vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet.
Ministria e Ekonomisë do të vërë në dispozicion, në funksion të zhvillimit të projektit, 3 pasuri të paluajtshme të llojit “arë”, në Xhafzotaj, Durrës, me sipërfaqe totale 1, 420 m2.
Vendimi ngarkon për zbatim Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve. /ekofin.al


