“Vertigo Free Zone-Durrës Industrial Park” është projekti që mori statusin “investim/investitor strategjik procedurë e asistuar” me subjekt aplikues shoqërinë “VERTIGO” sh.p.k.
Subjekti aplikues propozon zhvillimin e projektit Zona Teknologjike dhe e Zhvillimit Ekonomik (TEDA) në fshatin Xhafzotaj, Bashkia Shijak, në sektorin e prodhimit, përpunimit, tregtisë dhe shërbimeve duke përfshirë industrinë automotive, e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, e pajisjeve agroindustriale, etj.
Subjekti do të veprojë si zhvillues i zonës duke përmirësuar tokën, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme, duke mundësuar dhënien me qira tek investitorët e interesuar për të ndërtuar vetë, në bazë të specifikave përkatëse, facilitetet e nevojshme dhe impiantet e prodhimit, argumentohet në vendim.
Projekti i investimit synon të zhvillohet në tre zona. Në zonën A dhe B synohet ndërtimi i disa godinave në shërbim të TEDA, ndërsa në zonën C parashikohet zhvillimi i objekteve në një fazë të mëvonshme.
Projekti i propozuar shtrihet në një sipërfaqe totale prej afërsisht 13.5 ha, nga të cilat 13,4 ha janë në pronësi “private” të subjektit propozues dhe 0,1 ha pronësi “shtet” në fshatin Xhazotaj, Bashkia Shijak.
Vlera e investimit të projektit parashikohet të jetë 15,660,300 euro, duke punësuar rreth 500 punonjës.
Projekti është në përputhje me parashikimet e legjislacionit të investimeve strategjike, pasi sektori strategjik i Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, përfshin investimet strategjike në lidhje me ndërtimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e parqeve industriale/teknologjike e të inovacionit, si dhe pajisjen me infrastrukturën e nevojshme për prodhim, zhvillim industrial, tregtimin dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me veprimtaritë që ushtrohen brenda tyre.
Për këtë projekt do të aplikohet kryerja e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, si dhe do t’i jepet asistencë në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit, në përputhje me afatet e parashikuara sipas legjislacionit të investimeve strategjike./ekofin.al
